Transmetuar më 11-04-2020, 11:07

Shtohen 17 raste të tjera të të infektuarve nga koronavirusi në Shqipëri, duke e çuar në 433 numrin total të personave të prekur.

Në raportimin e 24 orëve të fundit, u bë me dije se shtimi i rasteve të reja vjen pas 259 testeve të kryera.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, deklaroi se aktualisht janë 6 pacientë të intubuar në gjendje më të rëndë.

Deri në këto momente janë testuar 3644 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 433 raste.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 53 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 pacientë janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, prej tyre 4 pacientë janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 60 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 10 raste, Shkodër 3 raste, Pukë 1 rast, Lushnje 1 rast, Krujë 1 rast dhe Durrës 1 rast. 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 197.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është në Tiranë 209 raste; Durrës 39 raste; Lushnje 6 raste; Elbasan 15 raste; Fier 32 raste; Kavajë 8 raste; Rrogozhinë 4 raste; Korçë 17 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 52 raste; Lezhë 14 raste; Berat 2 raste; Has 12 raste; Krujë 6 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 5 raste dhe Mirditë 3 raste.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

“Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, apeloi Rakacolli. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd