Transmetuar më 11-04-2020, 09:56
Foto ilustruese, gjate nje seance KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e procesit të vetingut, vendos që të përgjysmojë pagën e anëtarëve për muajin prill, në mbështetje të luftës kundër koronavirusit.

Bëhet fjalë për tetë anëtarë të KPK, të cilët kanë hequr dorë nga gjysma e rrogës së tyre, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, për heqjen dorë nga gjysma e pagës.

“Dy komisionerë të tjerë kanë përkrahur nismën, duke shprehur vullnetin të kontribuojnë nëpërmjet pagës sipas vlerësimit të tyre individual/ nëpërmjet llogarive në bankat  e nivelit të dytë. Nuk mund të kontribuojë një anëtar, i cili po trajtohet me pagesë të paaftësisë së përkohshme në punë”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i angazhuar për të çuar përpara procesin me rëndësi kombëtare të vettingut në sistemin e drejtësisë, por njëkohësisht ndjen po të njëjtën përgjegjësi qytetare për situatën ku ndodhet vendi.

“Duam të falënderojmë të gjithë ata, që sot janë në vijën e parë të ndihmës, të cilët në mënyrë vetëmohuese vazhdojnë detyrat e tyre të përditshme jashtë shtëpisë, në mbështetje të të gjithëve në këtë situatë të pasigurive të mëdha”, thuhet në mbyllje. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd