Transmetuar më 10-04-2020, 16:46

Sem Halms, e cila punon për sistemin shëndetësor britanik u habit kur pa një shënim ku thuhej se personi që e kishte shkruar e kishte “vëzhguar” atë dhe e kishte denoncuar për përdorimin e makinës çdo ditë

Një infermiere britanike ka mbetur e habitur nga një fqinj që u tregua idiot duke i lënë një shënim te makina e saj ku e kritikonte për faktin se kishte përdorur makinën çdo ditë për të shkuar për në punë.

Infermierja Sem Halms u habit kur pa shënimin në xhamin e makinës ku akuzohej si “egoiste” dhe si “pjesë e problemit”.

Shënimi ishte lënë nga dikush që thoshte se e kishte mbikëqyrur dhe më pas e kishte denoncuar Semin, raporton noa.al duke cituar gazetën “Mirror”.

“Për personin egoist. Të kam parë që ke udhëtuar çdo ditë me makinën tënde. Ti je me uniformë, kështu që nuk e ke të nevojshëm udhëtimin! Ti je pjesë e problemit! Rri në shtëpi dhe mbroje vendin dhe sistemin tonë të shëndetësisë! Të kam denoncuar!”, shkruhet në shënimin që infermierja gjeti në makinën e saj.

Disa javë më parë, autoritetet britanike urdhëruan banorët e vendit që të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre gjatë kohëzgjatjes së pandemisë të koronavirusit.

Shifra zyrtare e të infektuarve në Britaninë e Madhe deri tani është 65,077, ndërkohë që numri i viktimave ka arritur në 7978. /e.i/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd