Transmetuar më 10-04-2020, 12:35

Kjo është historia e dy të moshuarve shqiptarë, që jetojnë në një fshat të Shëngjergjit në Shqipëri. Qemal dhe Ishe Murati kanë bashkëjetuar me fatin e keq prej vitesh dhe në kushtet e pandesimë së koronavirusit, duket se ky fat i errët u ka ardhur në derë.

News 24 ka shkuar pranë familjes Murati, për të parë dhe bërë publike gjendjen e tyre. Situatë e mjerueshme. Ishe Murati, 68 vjeçe, Qemali 76 vjeç. I moshuari e ka të vështirë të lëvizë. Me një shkop mbahet në këmbë.

Te dy rrëfejnë se kanë kaluar ditë të vështira. Pa ushqime nuk diskutohet që janë, pasi për të shkuar atje ku ka ushqim, duhen orë udhëtim në këmbë. Të dy janë pleq dhe të ecësh në kohën e koronavirusit është edhe më e vështirë. Murati tregon gjithashtu se ka komunikuar edhe me drejtuesin e njësisë administrative Shëngjergj, por askush nuk i’a ka parë derën. Murati ka që prej muajit janar që nuk merr pensionin. Tre ditët e fundit i kanë kaluar pa bukë. Pavarësisht se ai ka kërkuar që pensioni t’i vijë në banesë, ashtu siç ka premtuar qeveria, askush nuk është bërë i gjallë “Pensioni nuk merret qe prej muajit janar… nuk ma sjellin.. nuk lëvizim dot. Ecja 2 orë në këmbë për të marrë autobusin, kthimi bëhet për 3 orë.”

Në shtëpinë e tyre të këputur nga varfëria, as sheqer nuk gjen. Qemali ruan karamelet për t’i përdorur në vend të sheqerit. Edhe si pasoje e moshës, gjyshi 76-vjeçar, ka pasur probleme me shëndetin. I është dashur të marrë edhe gjilpëra si mjekim. Por këto gjilpëra ia ka bere një mami e zonës, kundrejt pagesës, pasi qendra shëndetësore në Shëngjergj, edhe pse i premtoi se do kujdesej për mjekimet e tij, asnjëherë nuk i shkoi në shtëpi Qemalit.

Shtëpia ku jeton tani çifti i vetmuar i të moshuarve, duket sikur i takon se shkuarës. Jetën e tyre e rrezikoi shumë edhe tërmeti i 26 nëntorit, i cili u bëri dëmtime të mëdha në shtëpi. Duke mos pasur një vend ku mund të fusin kokën, Qemali dhe Ishja, janë detyruar të futen përsëri në shtëpinë e tyre. Garanci për jetën kane disa dru apo hekura, që kanë vendosur si mbajtëse të mureve. “Tërmeti. Nuk kam mundësi të jetoj më këtu… nëse më sigurohet mundësia lëviz prej këtu.”

Pavarësisht situatës së rëndë, të moshuarit i gjen shpesh herë të shohin një foto. Është e vjetër dhe i kujton fytyrat e djemve. 18 vite më parë, dy djemtë u mbytën teksa laheshin në liqen.

“Asnjë lloj gëzimi e lumturie në jetë… vetëm keq. Nuk kam frikë nga vdekja… më mirë sot sesa nesër. Na është mërzitur shpirti”, thonë ata.

E vetmja shpresë për të sjellë sadopak qetësi në këtë familje janë vetëm ndihmat që mund t’i siguroje shteti, prandaj edhe thirrja e Qemalit është për autoritetet shtetërore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd