Transmetuar më 08-04-2020, 00:12

Mjeku shqiptar në SHBA, Mario Ademaj në një lidhje ‘live’ me Euronews Albania nga Çikago, vend ku jeton dhe punon, e cilësoi situatën nga COVID-19 në SHBA si shumë delikate.

Sipas tij, spitalet rrezikojnë të përfundojnë në kolaps të plotë me mungesë mjetesh spitalore për përballimin e fluksit të të prekurve, që sipas tij pritet të rritet dhe mund të jetë 10-fish më i madh se shifra e deklaruar.

“Situata është shumë delikate. Nuk jemi shumë të sigurt që po menaxhohet mirë nga qeveria, e cila e ka lënë në dorë të cdo shteti. Në Çikago sot kishte votime për kandidatët për president. Disa ditë më parë kishtë debat nëse duhej anuluar apo jo. Dhe sot në një vend ku jetojnë 6 mln shtetas të gjithë kanë dalë për të votuar ndaj pritet rritje e kurbës së të infektuarve në javët në vijim. Para dy javësh nuk kishte shumë pajisje spitalore, por u mobilizuan shumë biznese për të krijuar maska dhe mjete të tjera.

Gjatë diskutimit me kolegë në Nju Jork më kanë treguar se nuk kanë mjete dhe makineri ventilimi, shumë shpejt do jemi në situatë të vështirë kur do të na duhet të zgjedhim kë të shpëtojmë dhe kë jo", tha ai.

I pyetur nëse ky virus është i ngjashëm me të tjerët e së njëjtës familje si SARS dhe MERS dhe a pritet që ai të zbehet gjatë verës, mjeku Ademaj tha se janë dy aspekte që e bëjnë këtë virus të ndryshëm nga coronavirusët e tjerë.

“Dy aspekte e bëjnë këtë virus më të rrezikshëm se gripi; është më infektues, 1 i infektuar mund të infektojë 2-3 persona të tjerë, dhe është më më fatal, se gripi, më vdekjeprurës. Në krahasim me SARS, që nuk u shpërnda kaq shumë dhe kaq shpejt, ndaj nuk dihet nëse do të zhduket gjatë verës”, tha ai.

Mjeku shqiptar solli rastin e një kure të mundshme me plazmën e e gjakut të ish të infetuarit, qelizat e imunitetit të të cilit mund ta vrasin virusin, siç është provuar edhe në Kinë.

Por kjo ende nuk është në nivelin e një kure zyrtare, tha ai, ashtu siç nuk janë ende të tilla të gjitha medikamentet e tjera që po përdoren kundër këtij virusi, që nga medikamentet kundër malaries, reumatizmës e deri tek antibiotiku azitromicinë, të cilat siç tha z. Ademaj kanë rezultuar fatale për jetën kur nuk janë përdorur në dozën e duhur dhe me rekomandimin e mjekut.