Transmetuar më 07-04-2020, 15:37

Një përplasje e fortë po precipiton mes kryeministrit dhe opozitës, pasi kjo e fundit prej afro katër javësh po kërkon me këmbëngulje testim masiv në Shqipëri. Opozita thotë se duke testuar sa më shumë njerëz, sidomos ata që përballen me situatën në terren, bluzat e bardha, policia, ushtria, etj., bëhet izolimi i rasteve dhe ndërprerja e zinxhirit të transmetimit.

Kërkesa e PD citon një numër ekspertësh që e sugjerojnë. Për më tepër, janë shtuar zërat në radhët e mjekëve në Tiranë dhe rrethe që kërkojnë testim masiv.

Përballë këtyre kërkesave, qeveria duket se po bën një mbrojtje të dobët dhe të paballafaquar. Ajo thotë se testimet e kufizuara, vetëm rreth 2.700 që nga nisja e epidemisë, janë rezultat i strategjisë së komitetit të ekspertëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Replikat për këtë çështje të mprehtë vijuan dhe sot. Kryeministri Edi Rama tha: “A mundet dikush t’ia thotë PD-së se qeveria nuk vendos sa teste bëhen a nuk bëhen?! Aq më pak qeveria mund të marrë mendjen e PD-së për këtë punë! Strategjinë e testeve e bën Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe pikë! Qeveria zbaton ato që vendos Komiteti dhe PIKË! PD ia fut kot”, – përfundon mesazhi i mllefosur dhe prepotent i kryeministrit.

Ndërkohë, Partia Demokratike lëshoi një tjetër apel pasditen e sotme. Duke evidentuar se ekspertët po kërkojnë testim masiv, u shpreh: “Qeveria duhet të lejojë ekspertët të kryejnë testim të zgjeruar. Përvojat më të mira botërore konfirmojnë se testimi i zgjeruar është thelbësor për të mbajtur nën kontroll COVID 19”.

Lind pyetja: Përse heziton kryeministri të investojë në kryerjen e testimeve të zgjeruara? /noa.al/