Transmetuar më 06-04-2020, 11:07

Nuk ka të reshtur vrulli i të infektuarve nga koronavirusi në Shqipëri, ku në orët e fundit janë konfirmuar 16 raste të reja, duke çuar në 377 numrin total të të prekurve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste.

Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, të cilët kanë gjetur vdekjen.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 pacientë të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, Sanatoriumi, ndodhen 7 pacientë të shtruar gjithsej, prej tyre 6 pacientë janë në terapi intensive.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.

Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon Tiranë 177 raste; Durrës 38 raste; Lushnje 5 raste; Elbasan 10 raste; Fier 26 raste; Kavajë 8 raste; Rrogozhinë 4 raste; Korçë 16 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 44 raste; Lezhë 14 raste; Berat 2 raste; Has 12 raste; Krujë 5 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 4 raste; Mirditë 3 raste.

Rakacolli nënvizoi se ka një rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike./a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE