VIDEO/ Skandal në Portin e Durrësit, përzënë me forcë jahtin superluksoz të miliarderit
Transmetuar më 06-04-2020, 01:28

Video e një zyrtari të Kapitenerisë së Portit të Durrësit që i bërtet në anglisht ekuipazhit të një jahtit superluksoz që u ankorua në port të premten për t’u furnizuar me karburant dhe ushqime në Shqipëri ka rindezur debatin e trajtimit të gabuar që turistët marrin nga vendi ynë.

Maltese Falcon, jahti i pestë për nga gjatësia në botë (88 metra) thotë se është kërcënuar me gjobë dhe burg nga kapiteneria e Durrësit dhe është detyruar të largohet nga porti pa arritur të marrë furnizimet e nevojshme. Jahti ka pasur leje ankorimi për të premten dhe të shtunën, por është përpjekur të qëndrojë në portin e Durrësit deri të hënën pasi nuk ia ka dalë të furnizohet në kohë.

“Thatë 20 minuta, jeni njerëz apo çfarë jeni, fëmijë?” dëgjohet të bërtasë në anglisht zyrtari shqiptar i portit.

Në videon e publikuar nga Auron Tare, kapiteni i jahtit dëgjohet të thotë se ka leje për të qëndruar, ndërsa përgjigjja që merr është “ti nuk ke leje, nuk ke leje, nuk leje. Sa herë të ta them?”

Pas refuzimit të qëndrimit në Durrës superjahti Maltese Falcon u largua për në Qipro. Ai mendohet se ka një vlerë prej 150 milionë dollarë dhe pikasja e tij përbën një event të rëndësishëm për entuziastët e anijeve, pasi gëzon nofkën "lodra e miliarderëve" dhe ka teknologjitë dhe mjetet më të përparuara në fushën detare.

Loading...