Transmetuar më 05-04-2020, 12:19

Tani është mëse e qartë se numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali nuk është ai që jepet zyrtarisht nga Departamenti i Mbrojtjes Civile, sepse në të përfshihen vetëm viktimat në spital.

Gazeta The New York Times dhe gazeta L’Eco di Bergamo në bashkëpunim me studion kërkimore InTwig, morën në shqyrtim të dhënat e aksesuara nga pushteti lokal në rajonin e Bergamos dhe konstatojnë se vetëm gjatë muajit Mars 2020 vdiqën 5400 njerëz ose gjashtë herë më shumë se një vit më parë(!)

Nga këta, 4500 kanë vdekur pasi janë infektuar nga koronavirusi, ose dy herë më shumë nga sa raportohet në informacionin zyrtar.

Ndër 4500 të vdekur, 2060 ndërruan jetë në spitalet e Bergamos, 600 të tjerë në azile pleqsh dhe pjesa tjetër nëpër banesat e tyre. Ministria e Shëndetësisë italiane refuzoi të komentojë këto shifra kur iu kërkua një reagim.

Pietro Zucchelli, drejtor i agjencisë funerale Zucchelli në Bergamo, pohon se dy javët e fundit të marsit, më shumë se 50 për qind e punës së tyre ka qenë mbledhja e kufomave nëpër shtëpitë e të ndjerëve. Më parë, tha ai, më shumë të vdekur i merrnim nga spitalet dhe nga azilet e pleqve.

***

Për 11 ditë me radhë, Silvia Bertuletti nuk reshti duke i rënë telefonit të urgjencës, duke kërkuar që të vizitojnë babanë e saj 78-vjeçar Alessandro, pasi kishte ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.

Kur një mjek pranoi të shkonte në shtëpinë e saj afër Bergamos, në epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit në veri të Italisë, mbrëmjen e 18 marsit, ishte shumë vonë.

Alessandro Bertuletti u cilësua i vdekur në orën 1:10 të mëngjesit, më 19 mars, 10 minuta para se të mbërrinte një ambulancë e thirrur orë më parë. Ilaçi i vetëm që i ishte këshilluar përmes telefonit, ishte një qetësues dhe një antibiotik me spektër të gjerë.

“Babai im u la të vdiste vetëm, në shtëpi, pa ndihmë,” tha Bertuletti, 48 vjeçe. “Ne thjesht jemi braktisur. Askush nuk e meriton një fund të tillë”.

Intervistat me familarët, mjekët dhe infermierët në rajonin e dëmtuar të Italisë në Lombardi tregojnë se përvoja e Bertuletti nuk është e pazakontë, që disa persona po vdesin në shtëpi pasi simptomat e tyre nuk mbahen nën kontroll dhe konsultimet telefonike nuk janë gjithmonë të mjaftueshme.

“Ajo që çoi në këtë situatë është se shumë mjekë të familjes nuk vizituan pacientët e tyre për javë të tëra. Dhe unë nuk mund t’i fajësoj ata, sepse kështu shpëtuan lëkurën e tyre“, – tha Riccardo Munda, i cili po bën punën e dy mjekëve në Selvino dhe Nembro, dy qytete afër Bergamos.

Ai tha se shumë vdekje mund të shmangeshin nëse njerëzit në shtëpi do të merrnin ndihmë të shpejtë mjekësore, por mjekët nuk kanë masa të mjaftueshme për të mbrojtur veten nga infeksioni dhe dekurajohen të bëjnë vizita, përveçse nëse e gjykojnë se është tepër e nevojshme.

Rasti i Silvia Bertulettit është domethënës. Kur ajo kërkonte mjekun e familjes të shkonte në shtëpi, ai refuzonte, duke thënë madje se nuk ishte i detyruar ta bënte këtë. I kontaktuar nga Reuters, ai pranoi se ishin duke bërë zgjedhje të tmerrshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd