Rama e shiti si mospagesë, Tatimet sqarojnë shqiptarët: Vetëm shtyrje për pak muaj
Transmetuar më 05-04-2020, 01:39

Shtyrja e pagesës së qirave, Drejtoria e Tatimeve: Tri kategoritë që përfitojnë, si duhet të aplikoni

Drejtoria e Tatimeve ka bërë ditën e sotme një njoftim zyrtar se nuk bëhet fjalë për mospagesën e qirave nga biznese dhe individë, shtyrje të tyre për pak muaj. Reagimi i Tatimeve vjen pasi Rama deklaroi më herët se qiratë nuk do paguhen madje kërcënoi se kush guxon ti marrë do ndëshkohet pesëfish në vlerë.

Tatimet, duke dhënë hollësitë e përfitimit, lidhur me shtyrjen në pagesën e qirave tha se kjo vlen për tri kategori qytetarësh dhe subjektesh. Në zbatim të Aktit Normativ të datës 2 prill, theksojnë Tatimet, janë tri kategori përfituesish:

Së pari, janë qiramarrësit individë të cilëve u është pezulluar/zgjidhur kontrata e punës si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga Covid-19 dhe kanë kontratë qiraje ose çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës – qiramarrës;

Së dyti, janë qiramarrësit studentë të cilët kanë një kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës– qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë;

Nga ana tjetër, Akti Normativ përfshin edhe persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19.

Si do të aplikojnë përfituesit që të mundësojnë shtyrjen e pagesave të qirave?

Sipas Tatimeve, Individët qiramarrës dhe studentët qiramarrës, duhet të aplikojnë në adresën e e-mail [email protected], në rastet kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Individ ose 2 kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Tatimpagues. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës së qirasë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktuale.

Personat fizikë/juridikë të regjistruar, duhet të aplikojnë në llogarinë e tyre në e-filing, tek menuja ‘’Çështjet e mia’’, kur marrëdhënia midis palëve është Tatimpagues me Tatimpagues ose edhe kur marrëdhënia është Tatimpagues me Individ. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës noteriale të qirasë.

Qiramarrësit përfitues, të cilët kanë ankesë për moszbatim të Aktit Normativ nga ana e qiradhënësit, pasi të kenë plotësuar të gjithë procedurën më sipër, mund të dërgojnë një e-mail në adresën [email protected], duke përshkruar arsyen e ankesës.

Loading...