Transmetuar më 02-04-2020, 20:07

Koronavirusi është përhapur me shpejtësi dhe mbrëmjen e sotme ka arritur në 1 milion numri i të infektuarve të identifikuar. Ndër ta janë mbi 51 mijë njerëz që kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 210 mijë vetë janë shëruar.

Të dhënat tregojnë një fakt shqetësues. Ndër rastet e mbyllura me koronavirus, gjithsej rreth 260 mijë, afro 51 mijë vetë ndërruan jetë, ose 20 për qind e tyre, kurse 80 për qind u shëruan.

Raportohet nga OBSH dhe instituti Hopkins, se aktualisht janë afro 740 mijë raste aktive ku 37 mijë njerëz janë në luftë me vdekjen.

Aktualisht koronavirusi ka pushtuar 205 vende të botës ku numrin më të lartë të të infektuarve e kanë SHBA me mbi 235 mijë njerëz, ku 5600 kanë humbur jetën.

Italia regjistron 115 mijë të infektuar dhe afro 14 mijë të vdekur. Në këtë vend shifrat tmerrojnë: Ndër 32.193 raste të mbyllura, 13.915 vetë kanë humbur jetën ose 43 për qind e këtyre të infektuarve dhe vetëm 57 për qind janë shëruar.

Spanja aktualisht ka 110 mijë të infektuar të identifikuar dhe mbi 10 mijë të vdekur.

Shifra shqetësuese ka tashmë dhe Franca me 57 mijë të infektuar dhe 4500 të vdekur.

Kina zyrtarisht ka stopuar në afro 81 mijë të infektuar dhe 3.300 të vdekur.

Me 33 mijë të infektuar, Britania e Madhe ka humbur deri sot afro 3 mijë shtetas të saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd