
Duke filluar nga shkurti e vazhduar përgjatë të gjithë muajit mars, e gjithë bota i zhvendosi sytë e tmerruar drejt ndodhive fatkeqe në Itali.
Përditë po përditësohemi mbi shifrat e rasteve të reja dhe sidomos të vdekjeve të ndodhura në Itali. Shumë prej jush ndoshta janë edhe lebetitur nga niveli “i lartë” i vdekshmërisë në fqinjin tonë.
Është e natyrshme që një pjesë e kësaj ndjesie pështjelluese vjen si rrjedhojë e pasqyrimit direkt të shifrave italiane në Shqipëri.
Këto shifra i analizon Doktori i Shkencave, Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik në QSUT. Ai merr si shembull, jo pa qëllim, deklaratën e Mbrojtjes Civile të Italisë të datës 28 mars 2020, ora 17:00. Në këtë datë u raportua se tashmë ishin të infektuar në total 92.472 persona. Duke qenë se popullata totale zyrtare e Italisë është 60.431.283, përllogaritet se tashmë janë infektuar 0.15% e popullatës totale, një përqindje shumë shumë e ulët. Ndër këta të infektuar ka pasur 10.023 vdekje, pra përqindja direkte e vdekjeve rezulton 10.8%. (LINK)
Kush nuk do të reagonte me panik ndaj një shifre të këtillë?
Dr. Alimehmet pohon se është me të vërtetë e lartë, pra vdes një person për çdo 10 të infektuar. Panik, lemeri, tmerr, çoroditje masive … por vetëm nëse kjo shifër nuk analizohet dhe merret shabllon!
Në këtë analizë, Alimehmeti nuk futet fare në pjesën e moshës së vjetër apo të sëmundjeve shoqëruese. Ai është shumë më i drejtpërdrejtë: "Po kujtoj që Italia kryen testin e SARS-CoV-2 vetëm te personat me dyshim të lartë epidemiologjik ose te personat e sëmurë, por nuk e kryen testin në popullatën e përgjithshme.
Çfarë do të thotë kjo? Le ta zbulojmë së bashku. Më 31 mars 2020, u publikua studimi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, Imperial College London, Universiteti i 10-të më i mirë në botë. Në analizën shumë fine semi-mekanistike Bayesiane hierarkike, autorët kanë kalkuluar se përqindja e të infektuarve me SARS-CoV-2 në Itali mè 28 mars, ka qenë në të vërtetë 9.8% (95% intervali i besimit = 3.2%-26%). Kjo hedh një dritë krejt të re mbi të dhënat italiane.
Në fakt nëse infektimi në popullatë është 9.8% dhe Mbrojtja Civile e Italisë raporton 0.15%, do të thotë që po kapen vetëm 0.15/9,8 = 1.53% e rasteve totale me COVID-19. Pra, ndërkohë që Mbrojtja Civile e Italisë deklaron 92.472 të infektuar, me rregull treshi numri real besohet të jetë 92.472 x (9.8/0.15) = 6.041.504 persona të infektuar.
E kishit imagjinuar dot? Dhe lind pyetja: Por kjo do të sjellë që vdekjet janë shumë më pak në përqindje?
Keni shumë të drejtë. Tani emëruesi ndërroi! Nuk është më 92.472 por është 6.041.504, si rrjedhojë vdekshmëria del 10.023/6.041.504 = 0.17%, ngjashmërisht me shifrat e Gjermanisë, ku po testohet një pjesë shumë më e gjerë e popullatës pa bërë diskriminime diagnostike.
"Duhet të themi që kjo shifër do të rritet pak pasi rastet janë marrë deri më datë 28 mars 2020, ndërkohë që rastet që përfundojnë me vdekje nevojiten edhe 2-3 javë të tjera. Si rrjedhojë, mund të besohet që shifra reale të orbitojë në rreth 0.3-0.4% vdekshmëri, për momentin, detajon mjeku epidemiolog duke pohuar se kjo është matematikë e ftohtë, pa emocione.
"Jo se nuk na dhimbsen ato persona fatkeqë që bëjnë pjesë në këtë 0.3% pasi janë gjithsesi 10 mijë njerëz të dashur për familjet e tyre, por duhet të ridimensionohemi në diskutimin e problemit".
Mbi këto të dhëna që analizohen, SARS-CoV-2 nuk është kaq vdekjeprurës sa ç’shihet përmes të dhënave të para. Por, të gjithë ne kemi edhe një pyetje të dytë: Si kanë ndikuar masat e marra kundër përhapjes së virusit?
Publikimi prestigjioz i mësipërm adreson edhe këtë pyetje! Në projeksionin e vdekjeve deri në 31 mars 2020, përllogaritet që në Itali do të kishin vdekur 52.000 (95% intervali i besimit = 27.000-98.000)persona, dhe vetëm në sajë të masave të marra janë shpëtuar 38.000 jetë njerëzish (95% intervali i besimit = 13.000-84.000). Pra, për çdo 1 jetë të humbur janë shpëtuar 2.7 jetë të tjera. Kjo vetëm pas masave të marra.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Duke marrë si model ecurinë në Itali dhe duke supozuar se efekti i masave të marra është i njëjtë në secilin vend, shohim përllogaritjet e mëposhtme.
"Në Shqipëri masat u morën shumë më shpejt se në Itali në krahasim me ditën e zbulimit të rastit të parë. Deri më 31 mars ne kemi 243 të infektuar dhe fatkeqësisht 15 vdekje. Nèse bèjmè pjesètim naiv tè Italisè, rezultati del 15/243 = 6,17%. Në përllogaritjen paraprake po përdoret i njëjti model semi-mekanistik Bayesian hierarkik që kanë përdorur kërkuesit anglezë duke ndryshuar datat e fillimit të sëmundjes (rasti i parë me COVID-19 8 mars 2020, vdekja e parë 9 mars 2020) dhe të marrjes së masave në Shqipëri (lockdown i plotë 16 mars 2020)", thotë mjeku Alimehmeti.
Një paraqitje më e thjeshtë e kalkulimit po paraqitet më poshtë:
Së pari, në Shqipëri lockdown u vendos pasi tashmë ishin mbyllur shkollat, aktivitetet sportive dhe sociale si edhe ishin vendosur normat e distancimit publik. Në total efekti i të tëra masave së bashku është ulje me 64% e infektueshmërisë.
Së dyti, në krahasim me Italinë, lockdown në Shqipëri u vendos 8 ditë më shpejt. Dyfishimi i të infektuarve ndodh mesatarisht çdo 4 ditë, pra vetëm nga ky fitim kohe i marrjes së masave totale numri i të infektuarve është ulur me 2 në fuqi (8/4) = 2 në fuqi të dytë = 4 fish. Pra, 9.8% / 4 = 2.45%.
Duke marrë parasysh edhe se shkollat dhe aktivitetet sociale dhe sportive u mbyllën menjëherë pas vdekjes së parë (9 mars 2019) me COVID-19, përllogaritet edhe një ulje me rreth 30% e infektueshmërisë gjatë javës së parë. Pra 2,45/(1,3 në katror)= 1.45% e popullatës së Shqipërisë.
Si rrjedhojë, totali i të infektuarve në Shqipëri në analizën paraprake përllogaritet në rreth 41.562 persona. Kjo shifër shkon në bashkërendim me përllogaritjet e mëparshme të Prof. Sulçebe.
Në këtë kontekst, vdekshmëria në Shqipëri përllogaritet 15/41.562 = 0.36%. Kjo shifër shkon në linjë me të dhënat e Gjermanisë.
Mjeku që analizon situatën dhe shifrat, thotë se edhe në këtë rast, ecuria fatale vjen pas një periudhe 2-3 javore pas infektimit, si rrjedhojë kjo shifër mund të jetë lehtësisht pak më e lartë. Rezultatet janë paraprake dhe bazohen mbi hipotezat e ngritura nga grupi i studimit të Imperial College London. Gjithashtu, Shqipëria ka një numër shumë të ulët vdekjesh, si rrjedhojë analiza pëson një mundësi gabimi më të lartë.
Së fundmi, duke u bazuar mbi modelin e Spanjës dhe Italisë, përllogaritet se vdekshmëria pritur nëse masat nuk do të merreshin variojnë nga 3,1 deri në 3,7 herë më shumë. Duke parë numrin e vdekjeve sot është 15 në Shqipëri, ky numër do të kishte qenë 47 deri në 56. Pra, falë masave janë shpëtuar deri më sot 32 deri në 41 jetë shqiptare.
Në përfundim të kësaj analize, mjeku ka një këshillë: "Mos lejoni t’ju shtrembërohet realiteti nga frika e shifrave të papërpunuara!"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





