Transmetuar më 01-04-2020, 23:39

Administratori i OSHEE-së,  Adrian Çela, garanton qytetarët shqiptarë se energjia elektrike nuk do të mungojë dhe se sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të garantuar furnizim të qëndrueshëm.

Sipas Çelës, i vetmi skenar që do të çonte në ndërprerje të detyruara të energjisë do të ishte nëse qytetarët nuk do të paguanin rregullisht faturën mujore të konsumit.

“Kjo do ta vinte OSHEE në kushtet e një krize financiare dhe pamundësie për të garantuar furnizimin me energji të konsumatorëve. Situatë e cila do të shoqërohej me ndërprerje të detyruara të energjisë dhe nevojë për mbështetje nga Buxheti i Shtetit, pra sërish nga taksat e shqiptarëve.

Ky skenar nuk ka asnjë shans që të ndodhë dhe qytetarët janë të vetëdijshëm se duke qenë korrektë me pagesën e faturës mujore, do të mbajmë në këmbë sistemin elektroenergjetik që është një pasuri e përbashkët”, theksoi Çela.

Çela gjithashtu garanton:

“Ju siguroj që në çdo skenar të përkeqësuar të situatës, jemi të përgatitur që çdo spital, çdo ambulancë, çdo njësi shëndetësore mos të ketë ndërprerje energjie.

E dimë mirë misionin tonë, nëse ikën energjia është njësoj sikur të mos i kesh vënë një respirator një të sëmuri. Jemi në linjë të parë dhe në vigjilencë absolute për të eleminuar çdo defekt të mundshëm”, shprehet Çela. /a.k/noa.al/