Transmetuar më 01-04-2020, 22:55

Administratori i OSHEE-së Adrian Çela, gjatë kësaj mbrëmjeje në emisionin "Open", ka dhënë detaje mbi kategoritë dhe numrin e përfituesve prej vendimit që fal kamatëvonesat e energjisë të krijuara deri më 31 Dhjetor të vitit 2019.

“Përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD”, u shpreh Çela.

Kategoria e parë e përfituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër dhe janë aktualisht në një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen e këtij detyrimi me këste, përkrah faturës mujore.

Më tej, Çela u ndal në disa raste konkrete, për të ilustruar më qartë mënyrën e përfitimit dhe shumat përkatëse në rastet e familjarëve, bizneseve të vogla dhe pensionistëve të përfshirë në këtë kategori.

Shembulli 1

Abonenti pensionist kryefamiljar nga Burreli me numër kontrate 8630. Sot, në sistem ai ka në total një borxh të trashëguar prej 2 milion e 630 mijë lekë të vjetra. Kësti i tij mujor është 1800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 290 mijë lekë të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i zbritet në 1000 lekë.

Shembulli 2

Abonenti familjar nga Lushnja me numër kontrate 45061. Sot, në sistem ai ka në total borxhin prej 2 milion e 460 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 2800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 233 mijë lekësh të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i reduktohet në 2000 lekë.

Shembulli 3

Subjekti privat biznes i vogël që ushtron aktivitetin në Elbasan dhe ka numër kontrate 29010. Aktualisht ka në sistem një borxh të mbartur prej 2 milion e 67 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 4690 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 167 mijë lekësh të vjetra.

Kategoria e dytë e përdituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër energjie por nuk kanë të nënshkruar një aktmarrëveshje me OSHEE. Kushti që ata të përfshihen në skemën e faljes së kamatës është nënshkrimi i një aktmarrëveshjeje prej tyre brenda 30 Qershorit 2020.

Por a përfitojnë njësoj në vlerë financiare edhe këta abonentë? Sërish, administratori i OSHEE solli dy shembuj ilustrues, një familjar dhe një biznes të vogël.

Shembull 1

Abonenti familjar nga Shkodra me numër kontrate 88685. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 134 mijë lekësh. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 84 mijë lekëve të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst prej 2000 lekë/muaj.

Shembulli 2

Abonenti biznes i vogël nga Fushë Kruja me numër kontrate 76979. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 260 mijë lekësh të vjetra. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 282 mijë lekësh të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst të reduktuar prej 5491 lekë/muaj.