Transmetuar më 01-04-2020, 15:47

Pamje të trishtueshme, ato të filmuara nga një infermier italian, i mbetur anonim e që po qarkullojnë në internet. Janë pak minuta të asaj që ndodh brenda një spitali në Itali në këtë kohë emergjence si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Filmimi shoqërohet me shpjegimin se duke parë kushtet ku qëndrojnë pacientët e ku punojnë mjekë e infermierë, nuk është një rastësi që në Itali të ketë një numër kaq të madh viktimash.

Ndërkohë “Corriere della sera” shkruan se situata dramatike që po përjeton vendi këto ditë nuk është vetëm për shkak të pandemisë Covid-19, por ka dhe arsye të tjera që i kanë rrënjët në të kaluarën.

Shërbimi shëndetësor kombëtar italian është i jashtëzakonshëm sepse u garanton të gjithëve mjekim dhe asistencë, për përgatitjen e mjekëve dhe infermierëve, por nuk është dhe aq i jashtëzakonshëm për menaxhimin.

Kjo mbetet një betejë e paprecedentë. Sipas të dhënave zyrtare epidemia e 2009 – 2010, i njohur si gripi i derrit A/H1N1, në Itali preku rreth 4 milion e gjysëm persona, duke shkaktuar 229 viktima. Dimrin e shkuar rreth 8 milion persona u prekën nga një virus i ashpër me 205 viktima. Por shifrat e sotme janë të frikshme.

Para fillimit të pandemisë në Itali ishin 5179 vende në terapi intensive përfshirë këtu spitalet publike dhe ato private. Çdo vit rreth 48 për qind e këtyre vendeve zihen nga pacientë të prekur nga patologji të tjera. Në 31 mars në terapi intensive ndodhen 4023 pacientë.

Buxheti që i takon shëndetësisë në Itali është dhe një nga nyjet e kësaj historie. Nga viti 2001 e deri tani është rritur në mënyrë të ndjeshme kërkesa për investime në infrastrukturën e shëndetit publik. Nga 71 miliard euro në 2001 në 115 miliard euro në 2019-ën.

Por jo të gjitha fondet janë dhënë ndërsa të tjerat janë reduktuar. Në vitin 2017 në Itali rezultonin 191 mijë shtretër në spitale, por vitet e fundit është vendosur për reduktimin e numrit të spitaleve dhe shtretërve sidomos në spitalet publike duke shtuar kuotën e privatit që nuk jep të njëjtat shërbime, si për shembull vendet në terapi intensive.

Numri total i mjekëve për banor në Itali mbetet ende sipër mesatares europiane 4 për cdo një mijë banorë. Por numri i mjekëve që shërbejnë në spitale publike apo kanë rolin e mjekut të familjes është në rënie. Në periudhën 2009 – 2017 shëndeti publik ën Itali ka humbur më shumë se 8 mijë mjekë dhe 13 mijë infermierë.

E ndërkohë infermieri anonim, u kërkon kolegëve të tyre që të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që të gjithë të shohin atë që ndodh realisht në spitale.