Transmetuar më 01-04-2020, 13:59

Indonezia ka numrin më të lartë në botë të viktimave në raport me të infektuarit nga koronavirusi, por ekspertët thonë se numri i të prekurve është më i lartë se ai që raportohet nga autoritetet.

Deri tani, zyrtarisht numri i të infektuarve në vend ka arritur në rreth 1.500, nga të cilët gjysma ndodhen në kryeqytetin Xhakarta dhe numri i të vdekurve ka arritur në 157, citon noa.al rrjetin televiziv amerikan ABC.

Nga shifrat del se përqindja e viktimave të koronavirusit në Indonezi është më e larta në botë. Por secialistët japin si shkak numrin e ulët të raportimeve zyrtare. Sipas ekspertëve, qeveria po i fsheh shifrat reale të të infektuarve dhe njëkohësisht po bëhet gjurmim minimal i rasteve në terren.

Situata duket të jetë shqetësuese sepse një projeksion i ekspertëve sugjeron se nëse autoritetet në Indonezi nuk marrin asnjë lloj mase për të luftuar përhapjen e virusit COVID-19, numri i vdekjeve në këtë vend deri në fund të prillit mund të arrijë në çerek milioni.

Ky paralajmërim erdhi pas vendimit të marrë të martën nga presidenti i vendit, Joko Vidodo për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, por pa sanksionuar një izolim total.

Masa shtesë që kanë si qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit në vend përfshijnë edhe distancimin social, dhënien e kompetencave shtesë policisë dhe shpalljen e një plani ekonomik prej 40 milionë dollarësh amerikanë që ka si qëllim t’i vijë në ndihmë individëve dhe bizneseve në nevojë që do të preken nga këto masa shtrënguese të autoriteteve.

Qeveria e vendit ka njoftuar po ashtu se të gjithë shtetasit e huaj, me përjashtim të diplomatëve dhe atyre që kanë leje qëndrimi, nuk do të lejohen të hyjnë në Indonezi për një periudhë 14 ditore. /e.i/noa.al/