Transmetuar më 01-04-2020, 13:25

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur sot konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Ai ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Duke folur pas takimeve ai tha se si President i vendit duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe mandatin e tij pas mocionit më 25 mars është i detyruar që të fillojë konsultat me partitë politike dhe liderët për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit të institucioneve apo themelimit të Qeverisë së re.

“Respektimi i plotë i legjitimiteti të qytetarit duke marrë parasysh edhe shkarkimin e Qeverisë. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr si president pas konsultimeve do të jenë transparente në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat e mëhershme të deklaruara sipas vullnetit të partive. Do të jetë proces kushtetues, i konsultuar dhe ligjor ju do të njoftoheni me të gjitha”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti bën me dije se do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike. /a.y/noa.al