Transmetuar më 01-04-2020, 12:11

Pandemia e koronavirusit është kriza më e keqe botërore që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

I pyetur se çfarë e bën këtë emergjencë që të shkaktojë “krizën më të keqe botërore që nga themelimi i OKB-së 75 vjet më parë”, Guterres tha se është “kombinimi i një sëmundjeje që kërcënon të gjithë botën dhe ka një ndikim ekonomik që do të çojë në një recesion të paprecedentë në të kaluarën e afërt”.

Në një konferencë shtypi për raportin e OKB për luftimin e pandemisë dhe pasojave socio-ekonomike, ai deklaroi se takimi i G20 tregoi se drejtimi është në rrugën e duhur por se ka ende shumë për të bërë.

Ai thotë, se nuk ekziston ende një plan i koordinuar nga të gjitha vendet për të luftuar virusin sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Ne na nevojitet një aksion ku të gjitha vendet të bëjnë të njëjtat përpjekje për të luftuar transmetimin e mëtejshëm të virusit,” tha Guterres.

Për gjendjen financiare ai shpjegon se janë mobilizuar 5 trilionë dollarë amerikanë, por nevojiten ende shumë më tepër, “sidomos sa i përket mobilizimit të vendeve të zhvilluara për të mbështetur ekonominë e vendeve të veta”. Guterres kërkon mobilizimin e burimeve të reja nga vendet e zhvilluara duke përmendur SHBA si një shembull, ku është aprovuar paketa 2 trilion dollarëshe, që përbën gati dhjetë për qind të ekonomisë. “Këtë gjë duhet ta shohim në nivel global,” thotë ai, duke kërkuar mbështetje më efektive për Fondin Monetar Ndërkombëtar.

PËRDITËSIM LIVE