

Koronavirusi vijon të shtojë numrin e të infektuarve në vendin tonë, ku vetëm gjatë orëve të fundit janë shtuar 16 raste të reja.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në total numri i të prekurve ka shkuar në 259, ku mosha mesatare e të prekurve është 50 vjeç.
Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino bëri me dije se katër nga personat e shtruar në spital ndodhen në gjendje të rëndë të intubuar.
Në 24 orët e fundit janë testuar 152 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1823 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 259 raste.
Numri i personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri është 15.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” ndodhet një pacient i shtruar.
Sakaq gjatë 24 orëve të fundit janë 15 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 67.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: Tiranë 140 raste; Durrës 29 raste; Lushnje 4 raste; Elbasan 5 raste; Fier 23 raste; Kavajë 5 raste; Rrogozhinë 2 raste; Korçë 16 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 8 raste; Lezhë 5 raste; Berat 1 rast; Has 2 raste; Krujë 5 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 3 raste; Mirditë 2 raste.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





