
Koronavirusi po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese pasi është rritur shumë vdekshmëria e të infektuarve. Raporti që vjen nga universiteti Hopkins dhe nga Worldometer evidenton se ndër 202.304 raste të mbyllura deri sonte pas mesnate, 37.578 njerëz ose 19 për qind kanë humbur jetën. Shifra në rritje është alarmante pasi në janar ishin 1 për qind vdekshmëri në rastet e mbyllura dhe në shkurt diku te 5 për qind.
Sakaq aktualisht numërohen 781.441 të infektuar dhe mes tyre 164.726 janë shëruar. Në gjendje kritike për jetën janë 29.480 vetë, kurse nën mbikëqyrje mjekësore janë 549.657 njerëz.

Të dhënat nëpër shtete
Kina që trembte deri para pak javësh me 80 mijë të prekur tani duket si e keqe e vogël përballë asaj që po ndodh në kontinentin plak dhe atë amerikan.
SHBA numëron tashmë mbi 161 mijë raste me afro 3 mijë të vdekur. Italia është me shifra edhe më të frikshme, gati 12 mijë të vdekur ndër 101 mijë të infektuar.
Spanja po trondit pas Italisë me afro 8 mijë të vdekur ndër rreth 80 mijë të infektuar. E rëndë situata dhe në Francë ku mbi 3 mijë njerëz vdiqën ndër rreth 45 mijë të prekur nga koronavirusi.
Kina deklaroi këtë të hënë 30 mars vetëm 31 raste të reja që e çojnë në 81.470 numrin e përgjithshëm të të prekurve me gjithsej 3.304 të vdekur.
E rëndë situata dhe në Iran nga ku raportohen mbi 2.700 të vdekur ndër 41 mijë të infektuar. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





