Transmetuar më 29-03-2020, 16:54

Ndërkohë që shumë vende kanë marrë masa shtrënguese për të kufizuar sa më shumë lëvizjen e njerëzve me synim luftimin e pandemisë së koronavirusit, çifte kudo në botë po përballen me të njëjtin problem. Teksa shumë çifte po vendosin që të qëndrojnë të distancuar, janë të shumtë ata që kanë vënë re se koronavirusi i ka afruar akoma më shumë.

Deri tani, shumë çifte kanë zgjedhur teknologjinë si një mënyrë për të komunikuar dhe për të qëndruar sa më pranë njëri-tjetrit.

Anselli ka një marrëdhënie në distancë me të dashurin e saj, por i dashuri i saj ndodhet vetëm disa kilometra larg. Anselli dhe Majkëlli jetojnë që të dy në Uellington, në Zelandën e Re. Gjatë katër javëve në vijim, ata nuk do të kenë mundësi që të shiheni me njëri-tjetrin.

“Në fillim, ne nuk arrinim t’i kuptonim rregullat shumë mirë. Menduam se gjithçka do të shkonte mirë dhe se do të arrinim të shiheshim një apo dy herë në javë”, thotë 25-vjeçarja Ansell, e cila ka pesë vite me të dashurin e saj. “Por më pas kuptuam që kjo gjë mund të na bënte mirë për ta forcuar akoma më shumë lidhjen tonë”, shton ajo, duke folur me CNN.

Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, Xhejmsi dhe e dashura e tij, Kira, kishin planifikuar që të festonin përvjetorin e tyre të parë. Pasi panë që vendi do të mbyllej, çifti vendosi që të bënte një takim të fundit para se secili prej tyre të mbyllej në shtëpinë e vet.

“Zakonisht, ne shihemi çdo ditë dhe qëndrojmë pothuajse çdo natë bashkë. Ky lloj veçimi kështu është një ndryshim i madh.  Kjo është periudha më e gjatë që nuk jemi parë që kur nisëm lidhjen tonë”, thotë Xhejmsi.

Por edhe pse teknologjia e ka ndihmuar këtë çift që të mbajë lidhje, për ta nuk është njësoj si të ishin pranë njëri-tjetrit.  Megjithatë, Xhejmsi mendon se kjo do ta forcojë lidhjen e tyre.

Kështu, virusi vdekjeprurës, që është shpërndarë kudo nëpër botë, duket se ka edhe efekte sociale, duke ndikuar në shumë çifte dhe mënyra se si këto çifte arrijnë që ta përballojnë këtë distancim mund të jetë edhe një tregues i qartë i forcës që e karakterizon lidhjen e tyre. /e.i/noa.al/