Transmetuar më 28-03-2020, 13:09

Qytetarët që shkojnë pranë spitaleve në Tiranë, detyrimisht duhet të kryejnë kontroll për koronavirusin në çadrat e ngritura përpara Urgjencës së QSUT dhe përpara Urgjencës së Spitalit të Traumës. Kjo bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ekzaminimet bëhen me qëllim evidentimin e personave të infektuar dhe parandalimin e përhapjes së virusit korona. Kështu, nëse një qytetar ka pësuar ndonjë dëmtim, aksident, apo shfaq probleme të tjera shëndetësore dhe paraqitet tek QSUT apo Spitali Universitar i Traumës, si fillim duhet të testohet për Covid-19 te çadrat e ngritura jashtë godinës.

Kur pacienti hyn në çadër ai duhet të plotësojë një formular në lidhje me historikun e tij të udhëtimit, nëse ka pasur kontakt me një person të infektuar me Covid-19, apo ka shfaqur simptoma, si dhe sëmundjet nga të cilat ai vuan.

"Kur konsatohet se të gjitha parametrat dalin brenda kushteve normale, qytetari shoqërohet për te urgjenca. Në momentin që ne vërejmë shenjat klasike të Covid-it, temperaturë, kollë, atëherë jemi të detyruar ta mbajmë pacientin këtu, të lajmërojmë 127, dhe të bëjmë të gjitha procedurat e duhura për të marrë tamponët", thanë mjekët në Spitalin e Traumës.

Për të detyruar qytetarët që të bëjnë këtë procedurë, tek QSUT dhe Trauma janë vendosur postblloqe policore.

Në Shqipëri deri sot janë 197 persona të infektuar me Covid-19, mes tyre, dhjetë të vdekur dhe katër njerëz të tjerë në gjendje kritike për jetën.