Covid-19/ Kosova kufizon lëvizjen nga ora 17:00 – 06:00, kush përjashtohet nga masat e reja
Transmetuar më 28-03-2020, 09:03

Qeveria e Kosovës ka marrë masat e reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit duke ndryshuar orarin e kufizimit të lëvizjes.

Sipas vendimit të ri të qeverisë, qytetarët dhe automjetet private ndalohet të qarkullojnë përgjatë orëve 17:00 – 06:00.

Nga ky vendim përjashtohen nevojat mjekësore, prodhimi, furnizimi dhe shitja e mallrave esenciale si ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë si dhe për shërbime e aktivitete që lidhen me menaxhimin e pandemisë, raporton Zëri.info.

Këto janë masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, të aprovuara nga qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19:

-Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhimi dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

-Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zonat (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës së Kosovës, përveç banorëve të këtyre zonave dhe personave të autorizuar nga organet përkatëse;

-Farmacitë e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Farmacitë kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM  në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale;

-Shkelësit e këtyre masave të përcaktuara me këtë Vendim do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Mbrëmjen e kaluar, Kosova raportoi dy raste të reja me koronavirus duke e çuar në 88 numrin total të të infektuarve si dhe një 82-vjeçar që ka ndërruar jetë./noa.al

Loading...