Transmetuar më 27-03-2020, 21:03

Pak orë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se do të tërhiqen shqiptarët që kanë mbetur jashtë vendit për arsye të ndryshme, ka pasur një fluks ankesash nga qytetarët të cilët vërejtën se nuk përfshiheshin në atë që Edi Rama e quajti sot lista e shqiptarëve që do të merren me avionët e Air Albania e cila funksionon nën ombrellën e Turkish Airlines.

NOA mori sot disa ankesa lidhur me këtë kategorizim e po ashtu edhe në faqen personale të Ramës, u shënuan plot ankesa të ngjashme.

Sot në mbrëmje, Rama doli sërish në Facebook duke thënë se do të mblidhen vetëm ata njerëz që janë në listat e përgatitura nga ambasadat.

“Sot do të riatdhesojmë 1379 shqiptarë. Që të jemi të qartë, nuk do të riatdhesojmë ata që jetojnë jashtë. Lasgushi do të mbledhë ata njerëz që janë në listat e përgatitura nga ambasadat, asnjë më shumë. Dua t’iu them shumëkujt që janë këtu dhe që kanë vënë kujën pse po i marrim këta. Kjo është të flasësh në hava. Mos flisni si për shtëpinë e botës. Si ka mundësi me këto cinizma e dëngla. Ne jemi në luftë”, u shpreh kryeministri duke mos u kursyer edhe në këtë rast me fyerje dhe gjuhë të vrazhdë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë disa njoftime ku tregon se çfarë vendimesh janë marrë për shqiptarët e bllokuar për shkak të situatës së koronavirusit. Por edhe këtu ka probleme. Disa qytetarë ankohen se numrat telefonikë që janë vënë, thjesht nuk përgjigjet askush ose janë jashtë shërbimit. /noa.al/