Transmetuar më 27-03-2020, 18:06

Institucionet arsimore shtetërore dhe private si dhe ato parashkollore nuk do të hapen në Shqipëri as pas datës 3 prill 2020. Rihapja e tyre pengohet nga vendosja para pak ditësh e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të paktën 30 ditë, sipas të cilës nuk mund të ketë qarkullim të lirë të njerëzve dhe grumbullim të tyre.

këtë duket se e ka kuptuar tashmë edhe ministrja për Arsimin në Shqipëri, Besa Shahini. Ajo paralajmëroi shtyrjen e tretë të mbylljes së shkollave kur u shpreh sot se "po përgatitemi që të vazhdojmë me xhirimet e leksioneve edhe për javët pas 6 prillit, përkundër që nuk është marrë ende vendimi nga Task Forca për koronavirusin nëse shkollat do të qëndrojnë mbyllur përtej datës 6 prill apo jo".

Më herët, para pak ditësh, Shahini kishte thënë se shpresonte që pas 3 prillit të rihapeshin shkollat, por deklarata e saj u bë një apo dy ditë pas daljes së vendimit për gjendjen e jashtëzakonshme, që mesa duket ashtu si dhe Arben Ahmetaj edhe ajo ka qenë e painformuar.

Këtë fakt, një ish deputet i PD, pedagogu Luçiano Boçi e cilësoi si gafë të Shahinit, kur shkroi:

PAS AHMETAJT DHE BESA NUK E DI QË ËSHTË SHPALLUR GJENDJA E FATKEQËSISË NATYRORE

Siç ndodh pothuaj gjithmonë, pas Ramës nxitoi të dilte dhe Besa me tufën e lajmeve të gëzueshme. Dhe përsëri si gjithmonë, përmes gafave ngatërroi më shumë se sa shpjegoi. Ministrja e Arsimit ende nuk e di që një vit shkollor është shumë i ndryshëm nga një vit akademik. Sikurse studenti për të nuk ndryshon nga maturanti. Po kjo është gafa më e vogël. Pas Ahmetajt, i cili shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e mori vesh në studio, ka dhe ministra që ende nuk e kanë marrë vesh që një vendim i tillë është marrë. Një prej tyre është Besa. Pyetjes për datat e provimeve të maturës e mundësinë e shtyrjes së tyre, Ministrja i është përgjigjur që ajo ende shpreson që shkolla të nisë në 6 prill!! E çuditshme kjo deklaratë, dëshmi e kaosit e paaftësisë qeverisëse. Ministrja ende nuk e di që jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Gjendja e fatkeqësisë natyrore, sipas ligjit, minimalisht zgjat një muaj dhe shkollat kurrsesi nuk mund të fillojnë. E në vend të shpresojë, Besa duhet të jetojë me realitetin, së paku vendimmarrës hipokrit qeveritar e të marrë masat që tani për vijimësinë e mëtejshme të procesit mësimor." /noa.al/