Transmetuar më 27-03-2020, 11:30

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk sheh zgjidhje te mbyllja në shtëpi e njerëzve, por vetëm te testimi masiv i popullatës në çdo vend të prekur nga koronavirusi.

Këshilltari i lartë i Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetit Dr. Bruce Aylward, thotë se testimi është zgjidhja që duhet ta aplikojë çdo vend, raporton Time.

Aktualisht, shumë shtete, ku Shqipëria ndër të parat, po aplikojnë kufizimin e lëvizjeve, por sipas Dr. Bruce Aylward kjo nuk funksionon sepse virusi mund të shpërthejë një moment tjetër.

"Nëse nuk merren masa përmes zbulimit dhe izolimit të të prekurve, thjesht kufizimi i qytetarëve është si të shkelësh frenat dhe në momentin që ti heq këmbën nga frenat do të përballesh sërish me valë të reja virusi”, u shpreh dr. Aylward për Time.

Sipas tij, deri në gjetjen e vaksinës, zgjidhja është (1) zbulimi sa më parë dhe (2) pas zbulimit, izolimi i rasteve të zbuluara.

Aylward thekson se zbulimi duhet bërë përmes kryerjes së testeve masive të popullsisë duke ndjekur shembullin gjenial të Koresë së Jugut.

Kjo e fundit aplikoi testimin masiv dhe jo vetëm kur paraqiten rastet në spital apo nga sinjalizimi i vetë të sëmurëve, siç vepron Shqipëria.

Testimi masiv bëri që të zbulohen sa më shumë të prekur brenda një kohë të shkurtër duke marrë masa direkt ndaj tyre, siç është izolimi dhe trajtimi në spital nëse do jetë nevoja.

Mundësia e shpërthimit të virusit në një moment të dytë nëse aplikohen vetëm kufizimet, është konfirmuar edhe nga studiuestë tjerë.

Deri tani, mjekët nuk kanë gjetur asnjë kurë të drejtpërdrejtë që krijon efekt kundër koronavirusit.

Pacientët e shtruar në spitale trajtohen me ilaçe që lehtësojnë gjendjen me shpresën që trupi t’i përgjigje virusit, por nuk ka ndonjë medikament që sulmon direkt virusin.

VIDEOINTERVISTA