Manjani, thirrje Ramës: Nuk ka më kuptim që për një plesht të digjet gjithë jorgani
Transmetuar më 26-03-2020, 09:35

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani sugjeron që shteti të gjejë një zgjidhje që të izolojë të infektuarit me COVID-19, ndërkohë që pjesa tjetër të shkojë në punë. Përmes një statusi në “Facebook” Manjani thekson se termi “quarantine” vlen për të infektuarit dhe jo për ata që janë të shëndetshëm.

“Logjika që për një plesht të digjet gjithë jorgani nuk ka më kuptim. Ose më saktë nuk mban gjatë. Shteti duhet të gjejë mënyrën që të izolojë të infektuarit dhe të lejojë të tjerët të shkojnë në punë. Në fakt termi quarantinë është shpikur për ata që janë të infektuar, jo për ata që potencialisht rrezikohen të infektohen. Këta të fundit udhëzohen të ruhen, por jo të izolohen njësoj si të semurët! Sidoqë të shihen shifrat e infeksionit, në çdo rast ata që i shpëtojnë virusit janë shumica dërrmuese e popullsisë. Gjithandej kështu është”, shkruan Manjani.

Sipas tij ata që e kalojnë këtë virus me një paracetamol në shtëpi, pa e ndjerë fare, janë shumica. “Fatalitetet janë pak më të mëdha sesa vdekjet nga virozat e stinës, por jo arsye e fortë për të ekstremizuar e terrorizuar njerëzimin. Ndërkohë, shumica e njerëzve duhet të punojë që të jetojë e të sigurojë veten dhe të ardhmen. Duhet të punojë, pa dyshim duke larë duart më shpesh dhe duke mos i dhënë dorën njëri-tjetrit”.

Manjani thotë më tej se njerëzit duhet të punojnë edhe për të ndihmuar ata që janë të pamundur. “Që të sigurohet që pensionistët të rrinë në shtëpi e të marrin pensionin, do të duhet të paguajmë ne të tjerët sigurimet. Por që ta bëjmë këtë duhet të punojmë. Patjetër duke larë duart më shpesh. Prandaj shteti duhet të ndihmojë për nxjerrjen e njerëzve në punë dhe jo të lëshojë ushtrinë për të mbyllur njerëzit shëndoshë si kokrra e mollës në shtëpi!".

Ish ministri i Drejtësisë ka dhe një kërkesë, që në vend të shpenzohet për lëvizje ushtarale të blihen tamponë: "Një blind ushtrie nuk vlen sa një tampon që duhet për të testuar. Testimi i menjëhershëm i njerëzve është zgjidhja e të gjitha problemeve! Izolimi total i jetës deri në pritje të largimit të pandemisë, nuk është zgjidhje. Njerëzit duan të jetojnë dhe iu duhet të lëvizin, të punojnë, jo të invalidohen e të jetojnë me lëmoshë! Për më tepër, nuk ka asnjë sistem lëmoshe që të funksionojë kur gjithë populli invalidohet! Duhet ndarë kush është sëmurë të trajtohet si i sëmurë në spitale dhe qendra sanitimi. Të tjerët të lejohen të shkojnë në punë. Ky është funksioni i shtetit!”, përfundon apelin e tij ish deputeti socialist dhe i LSI, Ylli Manjani.

Loading...