Transmetuar më 25-03-2020, 14:45

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot rrugëve të Tiranës duke iu afruar qytetarëve dhe duke iu kthyer atyre me kritika për mënyrën si dhe sa respektojnë rregullat e vendosura. Rama është shoqëruar në terren edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, po ashtu edhe nga kamerat e ERTV-së.

Në pamjet që shihni në video më poshtë dhe në fotogaleri, shihet si Edi Rama qorton një burrë të moshuar dhe më tej me dy persona që qëndrojnë pa distancën 1 metër larg njëri-tjetrit.

Në videon e Fax News, kryeministri i vendit shihet teksa urdhëron duke iu bërtitur të moshuarve me ‘këmbë e me duar’, pranë zonës së “Vasil Shantos", në Tiranë, që të shkojnë në shtëpi.

“A ka mundësi të shkosh në shtëpi! Shko në shtëpi sepse infekton veten dhe të tjerët. A ka mundësi të ikësh, mos e zgjat.”- dëgjohet t’i thotë Rama të moshuarës.

Rama shihet pranë qytetarëve pa doreza dhe pa maskë, ndërkohë që rrotull tij janë mbledhur një grumbull i madh qytetarësh.

"Kalimtarët mjafton të respektojnë rregullat, sidomos distancën +1 m, mosdhënien e dorës, përdorimin e gropës së brrylit nëse teshtijnë apo kolliten dhe janë të mbrojtur".

Për z.Rama, problem më vete janë pensionistët që po dalin sërish nga shtëpitë. Sipas tij kjo është e ndaluar sepse shkalla e rrezikut për ta është shumë e lartë.

Por pse nuk mbante maskë dhe doreza Rama teksa u fliste qytetarëve. Ai e shpjegon kështu:

"Mos më shkruani ku e ke maskën e pse s’ke dorashka. E kemi përsëritur që maska e dorashkat nuk janë për kalimtarët, por për të sëmurët, ata që kujdesen për një të sëmurë apo ata që e kanë punën me mundësi kontaktesh të afërta në tërësi".

Komenti i Ramës për daljen sot në rrugë:

"Unë dola sot me drejtuesit e policisë dhe pashë pak situatën. Situata është goxha më mirë në tregje. Por kemi dy probleme që duhen adresuar me urgjencë. E para, pensionistët duhen kthyer në shtëpi. Kemi folur bashkarisht me ministren e Mbrojtjes, me ministren e Shëndetësisë, si edhe bashkë, për të targetuar shërbimet për pensionistët. Kjo është prioritet. Pensionistët kryefamiljarë që janë vetëm në çift ose vetëm duhen shërbyer nga ne. Të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët që i kanë në të njëjtin qytet. Por policia duhet të kthejë mbrapsht çdo të moshuar në shtëpi. Pensionistët duhen kthyer nga rruga dhe patrullat e policisë që bëjnë mbikëqyrjen nuk duhet të vazhdojnë rrugën, kur shohin një pensionit. Duhet të ndalojnë dhe t’i thonë: Në shtëpi! Ashtu sikundër problemi tjetër që shoh është ecja bashkë. Është e ndaluar. Është e rrezikshme. Duhet të ecin një e nga një dhe tek. Nuk ka dalje bashkë me ”jemi burrë e grua”. Mund të jesh burrë e grua, por, në qoftë se ne lejojmë ecjen bashkë, këtu bëhen të gjithë të martuar. Policia nuk do të rrijë të identifikojë. Në qoftë se je i shoqëruar, gjobitesh dhe gjoba është goxha e kripur. Këmbësorëve që nuk respektojnë rregullin, jo vetëm që u vihet gjoba, por u sekuestrohet edhe makina. Na e kopjoi edhe Italia këtë masë. Italia e vuri pardje, ne e kishim që në fillim. Ju lutem shumë, këto dy gjëra shikoj unë problem tani që flasim në zonat urbane dhe në Tiranë, se në të tjerat nuk i kam parë me sytë e mi. Është shumë e rëndësime kjo."