Transmetuar më 24-03-2020, 16:46

Kryeministri Edi Rama përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, për ti dhënë dritën jeshile çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai deklaroi se sot Shqipëria mori dritën jeshile për hapjen e negociatave.

“Më në fund se u bënë bajat, duke sajuar lloj lloj vicklash. Kjo botë nuk është rrotulluar kurrë kollaj për shqiptarët, por Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë luftë. Do të bëjmë reforma modernizuese. Po-ja në bllok, dera e dhomës së pritjes u hap më në fund!  Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj në mes të një luftë botërore. Do të vijojmë po njëlloj dhe do i bëjmë detyrat e kësaj shtëpie, jo se na i kërkojnë ata, por amaneti i të parë dhe borxhi që u kemi fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se nuk do të ndalen deri në plotësimin e çdo detyre, derisa se të ulemi në dhomën e madhe të ndenjes së Bashkimit Europian, ku fëmijët shqiptarë do të luajnë në të njëjtin kopsht të mbarë Europës dhe eshtrat e rilindasve tanë do të prehen të qeta dhe do të valëvitet i barabartë mes të barabartëve flamuri i Gjergj Kastriotit.

“Nuk do të bënim festë edhe sikur kjo ‘po’ të na gjente në kohë paqeje. Sot ka vetëm një festë, nga çlirimi nga armiku i padukshëm. Atë ditë të madhe çlirimi, kur t’ia kemi dalë ti mbijetojmë kësaj lufte. E dua atë ditë, si lotë dhimbjesh, për ata që nuk mbijetuan dhe shpëtimi falë solidaritetit të madh, që i vuri kufirin te thana armikut", deklaroi kreu i qeverisë.

Rama kërkoi që të shihet jo vetëm errësira por edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë, “Dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj! Jemi të pandashëm nga njërit-tjetri në këtë atdhe për sa kohë do të kemi frymë”.

Ai shtoi se “Po-ja” e njëzëshme e 27 shteteve të Bashkimit Europian, vjen pas asaj të konferencës së donatorëve në 17 shkurt, kur  u dha shenja kuptimplotë e një respekti që shkon përtej Shqipërisë tha ai, dhe se për përpjekjet serioze të pandërprera që ta bëjmë këtë shtet të respektuar në familjen europiane. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE