Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Rama nuk konfirmon Basha pranon ftesën
Transmetuar më 24-03-2020, 13:24

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka njoftuar për nesër, mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Meta ka njoftuar se mbledhja do të jetë e mbyllur, në Presidencë dhe anëtarët do të duhet të ruajnë distancën.

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Ilir Meta për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë PD, në përgjigje të interesit të medias.

“Duke iu përgjigjur interesit të shumë gazetarëve ju bëj të ditur se Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Ilir Meta për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zoti Basha thekson se tani është koha që gjithkush të japë kontributin e tij në shërbim të jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve në këto ditë të vështira”, bëri të ditur zyra e shtypit pranë PD.

Nga kryeministria nuk ka deri tani ndonjë konfirmim nëse Edi Rama do të marrë pjesë në mbledhje ku është anëtar i Këshillit. Para pak, z.Rama njoftoi se do të dalë në orën 15.30 të ditës së sotme do të dalë në Facebook për të njoftuar masa ndihme për biznesin e vogël dhe disa kategori qytetarësh. /b.l/noa.al/

Loading...