Transmetuar më 24-03-2020, 10:15

Ministria e Shëndetësisë vendosi të thellojë nga sot edhe më shumë, censurën për informacionet mbi situatën me koronavirusin në Shqipëri.

Nga sot nuk do të ketë më asnjë njoftim dhe asnjë përditësim për publikun përveç daljes së rreth mesditës që jepet e regjistruar në avancë.

Në këto kushte informacioni për koronavirusin do të bëhet edhe më j pakët për shkak të censurës së re dhe kjo rrezikon të pasohet me lajme të pasakta pasi konfirmimi zyrtar do të jetë vetëm një herë në ditë, në kushtet kur efekti i koronavirusit evoluon shumë shpejt.

Ministria e Shëndetësisë ka një justifikim të pabazuar për këtë. Ajo thotë në një njoftim që shpërndau sot, se do të shprehet vetëm një herë në ditë rreth orës 11.00 sepse i duhet dhënë kohë njoftimit të familjarëve për çdo situatë të ndryshme, duke nënkuptuar njoftimin e tyre kur vdes një pacient i prekur  me korona.

Por ky është justifikim i pabazuar sepse mediave nuk u jepen të dhënat e identitetit të viktimave, por vetëm si raste dhe mosha e tyre.

Me këtë urdhër të ri, mediat nuk do të marrin më njoftime zyrtare në kohë, për zhvillimet që lidhen me koronavirusin, por për çdo info duhet pritur deklarata e regjistruar.

Urdhri që mendohet se ka ardhur direkt nga kryeministri, vjen pasi rastet e vdekjeve janë bërë të ditura zyrtarisht pak orë pasi kishin ndodhur, kurse në një rast dje, pacienti kaloi vdekje klinike dhe nuk ndërroi jetë siç u raportua.

Njëkohësisht ministria e Shëndetësisë i kërkon mediave që ti referohen vetëm njoftimeve të saj zyrtare si burim informacioni për koronavirusin.

Urdhri i ri i lëshuar sot, vjen pas disa kufizimeve të mëparshme. U zhdukën konferencat për shtyp që mund të bëheshin si në çdo vend tjetër, duke ruajtur distancat. Në vend të kësaj po aplikohet me një deklaratë të regjistruar në avancë që herë pas here i shitet mediave dhe për rrjedhojë lexuesve si transmetim direkt në Facebook.

Për më tepër siç raportohet nga mediat dhe familjarët tek spitali Infektiv, pacientëve nuk u lejohen celularët ti përdorin. Në ditët e rasteve të para, pacientët denonconin në media kushtet sipas tyre jo të mira të izolimit në Infektiv. /noa.al/