Transmetuar më 24-03-2020, 08:29

Mjeku i Infektivit, Tritan Kalo ka bërë të ditur se ditët e vështira në Shqipëri nuk kanë përfunduar pasi pandemia po përshpejtohet.

Sipas tij, 3 hapat urgjent janë: testimi i çdo rasti të dyshimtë, izolimi dhe përkujdesja për çdo rast të konfirmuar dhe gjurmimi e karantinimi i çdo personi të kontaktit të ngushtë.

Mjeku infeksionist shtoi se Covid-19 vritet me anë të mirëkuptimit maksimal, duke e lënë pas politikën, militanizmin, gjithëdijësinë, protagonizmin, vanitetin delirant, gojëhidhësinë dhe gjysmëdijeninë analfabetiko-funksionale. Në shkrimin e tij në Facebook, mjeku përmendi një shprehje të profesor Përparim Kabos që shprehet se: “Kur vdes një njeri vdes një jetë, kur vdes një mjek vdesin qindra jetë.”

Shkrimi i plotë

Kemi ende ditë të vështira para nesh….“Pandemia po përshpejtohet”, ndaj duhet vijuar me “1- testimin e çdo rasti të dyshimtë, 2- izolimin dhë përkujdesjen për çdo rast të konfirmuar dhe, 3- gjurmimin e karantinimin e çdo personi të kontaktit të ngushtë.”

Rikëshilloj dje më 23 mars 2020 tedros adhanom ghebreyesus, shefi i OBSH/WHO, si tre nga masat më efikase të kontrollimit të pandemisë covid-19, krahas distancimit social, higjenës, ushqyerjes, etj.

Ne në Shqipëri nuk po bëjmë asgjë më pak dhe asgjë më shumë se kaq….së bashku dhe në mirëkuptim maksimal do të mundemi t’ia dalim përballjes me vrastarin e tinzarin Covid-19…. politikat e mëdha, militantizmin e verbër, gjithdijesinë, protagonizmin e vanitetin delirant, gojëhidhësinë dhe gjysëmdijenitë analfabetiko-funksionle, le t’i lëmë për t’i shpalosur pasi t’a kemi fituar këtë betejë….

T’u bëhemi krah me qëndrimet e veprimet tona racionale të gjithë personelit mjeksor, që në vijën e parë të frontit përballet me këtë “armik të padukshëm jetëmarrës”….

Të qëndrojmë në mjediste tona, kur nuk kemi asnjë arsye ekzistancialiste për t’ju ekspozuar Sars-cov-2.

Mbrojmë veten dhe njëkohësisht vemë edhe më pak në rrezik jetët e mjekëve, infermjerëve, imazheristëve, farmacistëve, laborantëve, administratorëve, sanitareve, shoferëve, teknikëve të mirmbajtjes, barrelistëve, koordinatoreve, policëve e ushtarakëve, etj. të cilët përkujdesen për të sëmurët me Covid-19 në spitale dhe ambulatorisht…

Prof. Përparim Kabo thelbësisht qartazi shprehet se: “Kur vdes një njeri vdes një jetë, kur vdes një mjek vdesin qindra jetë”….Ju duam dhe ju respektojmë.

Përkujdesemi dhe do të përkujdesemi për ju në çdo minutë, me vetmohim e profesionalizëm shëmbullor. Kurrë mos harroni se ne jemi motrat, vëllezërit, bijat e bijtë tuaj, ndaj edhe ju duhet të na dëgjoni dhe të na respektoni. bashkë me mendjekthjelltësi e zemërbardhësi, ne do tia dalim mbanë!