Transmetuar më 23-03-2020, 18:23

Numri i njerëzve të konfirmuar me infektimin e Sars-Cov-19 është rritur në rang global në 353,759 raste, duke treguar alarm të situatës në disa vende që po shohin shpërthimin e rasteve të reja çdo ditë e më tepër dhe disa të tjera që kanë dhënë shpresë me raportime të uljes së numrit të të infektuarve dhe të vdekjeve.

Janë të regjistruar 15,419 vdekje në të gjithë botën dhe 100,623 të shëruar, sipas të dhënave nga “worldometer”.

Vendi me numrin më të madh të të infektuarve mbetet Kina, me 81,093 raste, edhe pse me të dhëna pozitive të vënies nën kontroll të situatës, e pasuar nga Italia, vendi më i goditur në Europë që për numër viktimash ia ka kaluar Kinës dhe ka regjistruar deri tani 59,138 të infektuar, e ndjekur nga SHBA ku po shihet një rritje e shpejtë e rasteve të të infektuarve me 35,176 raste, dhe më pas Spanja me 33,089 të infektuar, Gjermania me 27,289, si dhe Irani me 23,049 të infektuar me koronavirus.

Në Gjermani janë regjistruar 115 të vdekur nga sëmundja, 21 vetëm në 24 orë. Ndërsa në Spanjë ku gjendja e jashtëzakonshme është shtyrë deri më 11 prill, me dy javë të tjera, deri tani janë 2,206 të vdekur, nga të cilët 434 në 24 orët e fundit, me rajonin më të goditur, Madridin.

Shifrat janë rritur edhe në SHBA, me 459 viktima deri më tani, nga të cilat 40 në 24 orët e fundit. Në Itali situata është më dramatikja në botë me 5,476 viktima, me shifrat zyrtare që pritet të përditësohen pasdite. Ndërsa në Kinë, aty ku nisi edhe përhapja e virusit, duket se ka një pakësim inkurajues të rasteve, me 3,270 viktima gjithsej, 9 në ditën e fundit. Situata mbetet e rëndë edhe në Iran, me 1,812 të vdekur, 127 në ditën e fundit.