Transmetuar më 23-03-2020, 16:28

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi në komunikimin e sotëm për publikun, se para Urgjencës së QSUT ka nisur tashmë ngritja e çadrave të triazhit mjekësor.

Ajo bëri me dije ngritjen e çadrave të triazhit mjekësor, përpara Urgjencës së QSUT dhe përpara Urgjencës së Spitalit të Traumës dhe se aktualisht po përfundon trajnimi i ekipeve që do të vendosen në shërbimet e triazhit në çadra.

“Po përgatisim kontratën për blerjen e 54 respiratorëve dhe vijojmë procedurën për 100 respiratorë të tjerë, që do të mbërrijnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar. Me masat që kemi marrë kemi arritur të sigurojmë rritjen e stokut me 25 mijë maska ffp2/ffp3 dhe në vazhdim pritet furnizimi me 140 mijë maska ffp2/ffp3, ndërkohë që planifikojmë krijimin e një stoku me plus 200 mijë maskash specifike ffp2/ffp3. Sa i përket veshjeve speciale po rrisim në këtë javë me 10 mijë stokun e veshjeve dhe planifikojmë rritjen e stokut me 50 mijë veshje speciale”, u shpreh Manastirlu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se për sa i përket elementëve të tjerë doreza nitrili, syze mbrojtëse, helmeta mbrojtëse, dezinfektantë etj, po ashtu është siguruar stoku i nevojshëm për përballimin e kësaj situate dhe në vijim.

“Kemi një sasi stoku mbi 500 mijë maska të thjeshta dhe kirurgjikale si dhe rreth 650 mijë doreza sterile dhe josterile”, informoi ministrja.

Deri më tani ka shkuar në 104 numri i të prekurve me koronavirus dhe në 4 ai i viktimave. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE