Transmetuar më 23-03-2020, 15:48

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje kreut të opozitës Lulzim Basha i cili sot bëri thirrje që qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ndërkohë që ka kërkuar që të merret si masë mbyllja e bizneseve me prani të madhe punonjësish.

“Kjo është relative e vjen gjithmonë në të gjitha herët për të gjitha rastet por siç ndodhi dhe me tërmetin ne e dimë shumë mirë punën tonë, do ishim të lumtur të na vinte ndonjë thirrje që na ndihmon e jo thirrje që ndonjëherë edhe na pengojnë”, tha Rama për “news24”.

Ai ka përsëritur edhe njëherë faktin se të gjithë personat që qëndrojnë në shtëpi dhe e kanë të pamundur që të punojnë për shkak të situatës që po kalon vendi për shkak të Covid-19, do të marrin pagën nga shteti.

Kreu i qeverisë ripërsëriti faktin se vendi është në luftë, ndërkohë që theksoi se qeveria po iu gjendet afër personave që kanë nevojë për asistencë, siç janë pensionistët e vetmuar.

“Po e përsëris prapë, jemi në luftë, në luftë në luftë. Në luftë s’ka se çfarë do të ndodhë, por se do të shpëtojë familja. Familjet që nuk janë në punë për shkak të luftës, e kemi thënë se do të marrin atë që kemi thënë. Kush ka nevojë për asistencë, po shkojmë dita ditës në çdo derë dhe ata s’do të ngelen vetëm. S’ka vdekur njeri për bukë në Republikën e Shqipërisë”.

Më tej kryeministri Rama deklaroi se do të vijohet me fashën e fundit të orarit që u vendos nga qeveria. Ai tha se fasha e orarit që do të vijojë të jetë në fuqi është ora 05:00 e mëngjesit me orën 13:00, ndërsa theksoi se 8 orë janë të mjaftueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë të vijojnë aktivitetet e tyre, duke u furnizuar me ushqime, apo dhe duke kryer punë me rëndësi.

“Sot janë marrë realisht masat më tepër seriozitet. Kishin orarin e zakonshëm dhe të gjithë ankoheshin se kishte shumë njerëz në rrugë dhe shumë në dyqane. Vumë dy fasha orari. Dhe tani kemi arritur në këtë fashë orari. 8 orë për të blerë qepë, domate, ilaçe. Apo kush ka nevojë për të bërë kontakte me bankën. Janë shumë. Shumë kush nuk do ta kuptojë se është koha për tu zgjuar dhe në 5 ose në 6, dhe jo të shkojnë në orën 12 atje ku duhet të marrin shërbimin përkatës.

Nëse bomba do ishte reale, dhe plasja e bombave do ishin reale dhe avionët mbi kokë do të ishin realë, sdo ishte duke diskutuar njeri se orarin e donte më ndryshe. Do dilte nga shtëpia mundësisht 1 herë në javë. Duke qenë se nuk janë këto vizuale, dhe armiku është i padukshëm, mobilizimi është i vështirë. 99.9 % e popullit po zbatojnë masat”, tha Rama.