Transmetuar më 23-03-2020, 15:17

Për përballimin e situatës së shkaktuar nga përhapja e virusit COVID-19, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot, nëpërmjet një procedure online, vendimin për të ndihmuar me ushqime të gjithë të moshuarit e vetmuar dhe shtresat në nevojë.

Nisur nga pezullimi i frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në këtë periudhë, në mbledhjen e sotme u vendos që Bashkia e Tiranës ta përdorë sasinë e tyre ushqimore për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, që ata ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të krijuar nga COVID-19.

Ushqimet e gatshme, por edhe pakot me ushqime, do të grumbullohen dhe më pas do të shpërndahen në banesat e shtresave në nevojë nga Bashkia Tiranë nëpërmjet punonjësve të qendrave sociale, njësive administrative dhe grupeve të ngritura enkas për këtë qëllim.