Koronavirusi/Shqiptari në Itali bën gjestin e madh, ofron hotelin e tij për stafin mjekësor
Transmetuar më 21-03-2020, 21:55

Koronavirusi vijon të përhapet gjerësisht në mbarë botën, ndersa është shtuar ndjeshëm edhe bilanci i të vdekurve.

Kujtojmë që Italia është një nga shtetet ku situata shfaqet më e rëndë.

Për t’iu ardhur në ndihmë sado pak mjekëve në Itali, një emigrant shqiptar ka bërë një gjest të madh humanitar.

Sipas JOQ, bëhet fjalë për shqiptarin Eros Gjona, i cili është pronari i një hoteli në Firence, një nga zonat më të prekura nga koronavirusi në vend.

Erosi ka publikuar një story në rrjetet sociale, ku njofton se është i gatshëm për të ofruar hotelin e tij me 6 dhoma dhe kapacitet për 15 persona, për personelin mjekësor të spitalit Santa Maria Nuova dhe spitalit universitar të Careggi-t.

Njoftimi i plotë:

“Përshëndetje, unë jam një hotelier në Firence, kam një ndërtesë B&B në Piazza del Duomo me 6 dhoma, të gjitha me banjo private, me kapacitet 15 persona, për personelin mjekësor të spitalit Santa Maria Nuova, por edhe spitalin Careggi. Mund të më kontaktoni ose të ndani numrin tim me të interesuarit +393668747322. Sinqerisht, Eros Gjona”.

Situata në Itali vijon të jetë shqetësuese pasi rastet e personave të prekur nga koronavirusi dhe jetët e humbura raportohen sërish me shifra të frikshme.

Ministria e Shëndetësisë në Itali njoftoi sot se 24 orët e fundit u regjistruan 6557 të prekur nga koronavirusi, kurse humbën jetën 793 njerëz.

Të dhënat tregojnë se ka shkuar në 53578 numri i përgjithshëm i personave të prekur. Ndërsa ka arritur në 4825 shifra totale e të vdekurve.

Shifrat tregojnë se nga numri i përgjithshëm i të prekurve janë shëruar 6072 njerëz.

Në gjendje kritike për jetën janë 2857 njerëz./a.k/noa.al/

Loading...