Foshnja 9 muajshe vdiq nga kequshqyerja, arrestohen prindërit
Transmetuar më 20-03-2020, 14:14

Prindërit e Aurorës së vogël, vajzës 9 muajshe që vdiq natën midis 26 dhe 27 shkurt 2015 në Milano, u arrestuan, njoftoi sot policia italiane e cila tha se çifti është dënuar në mungesë me 15 vjet burg.

Marco Falchi dhe Olivia Beatrice Grazioli, përkatësisht 46 dhe 42 vjeç, u dënuan për keqtrajtim në familje nga Gjykata e Apelit në Milano e cila i cilësoi ata fajtorë për vdekjen e vajzës së tyre nga kequshqyerja.

Të dy prindërit kishin shpëtuar nga arrestimi pasi ishin fshehur secili në banesa të ndryshme, por policët i kanë mbajtur nën kontroll duke monitoruar lëvizjet e tyre javët e fundit dhe i arrestuan pasditen e djeshme, 19 mars.

Policia tha sot se të kërkuarit u prangosën në dy apartamente në zonën San Siro dhe Lorenteggio ku qëndronin të fshehur.

Trupi i pajetë i Aurorës së vogël u zbulua mëngjesin e 27 shkurtit në banesën me numrin 13 në zonën Primaticcio, Milano ku burri dhe gruaja jetuan me vajzën e vogël. Autopsia tregoi se vdekja e fëmijës kishte ndodhur për shkak të kequshqyerjes dhe dehidrimit.

Kur policia dhe personeli mjekësor hynë në shtëpinë e Aurorës, trupi i saj ishte i mbuluar me plagë, koka ishte e deformuar dhe këmbët e saj ishin shtrembëruar.

E kontrolli i mëtejshëm në banesë nxori mënyrën e jetesës së çiftit me fëmijë: Shtëpia ishte e mbushur me brejtës dhe insekte të ndryshme deri dhe brenda në frigorifer. Në sallën e gjyqit këto konstatime përforcuan akuzën e braktisjes së rritjes së fëmijës deri në vdekjen e saj.

Aurora e vogël u gjet e paje në një shtrat, në  apartamentin ku ndjehej erë e fortë jashtëqitjesh. Në banesë nuk kishte thuajse fare orendi, qoftë dhe karrige apo tryezë, duke demonstruar kushtet monstruoze që po mbahej vogëlushja nëntë muajshe./b.l/noa.al/

Loading...