“Mesazhi është i qartë dhe për Shqipërinë”, mjeku Dasho nxjerr të dhënat e Institutit të Shëndetësisë në Itali
Transmetuar më 20-03-2020, 08:58

Mjeku shqiptar Erion Dasho i cili punon në Gjermani, ka nxjerrë të dhënat e Institutit të Shëndetësisë Italiane lidhur me moshën më të prekur dhe vdekshmërinë nga koronavirusi.

Ai thotë se sëmundja paraqet rrezikshmëri më të lartë për të moshuarit dhe se ndonëse Italia sot ka numrin më të lartë të vdekjeve në botë, vetëm 17 persona nga ata që kanë humbur jetën, ishin nën 50 vjeç.

Po ashtu vetëm 3 raste vdekjesh kanë ndodhur në persona të shëndetshëm.

“Mesazhi është i qartë edhe për Shqipërinë. Përpjekjet parandaluese duhen orientuar veçanërisht drejt mbrojtjes së personave të sëmurë dhe atyre të moshuar”, shkruan Dasho.

Postimi i mjekut Dasho

Të dhëna shumë interesante nga Instituto Superiore di Sanità:

Së pari, sëmundja paraqet rrezikshmëri më të lartë për të moshuarit. Ndonëse Italia sot ka numrin më të lartë të vdekjeve në botë, vetëm 17 persona nga ata që kanë humbur jetën, ishin nën 50 vjeç.

Së dyti, vetëm 3 raste vdekjesh kanë ndodhur në persona të shëndetshëm. 99.2% e personave që humbën jetën ishin të prekur nga të paktën edhe një sëmundje tjetër, 75% nga dy sëmundje dhe plot gjysma nga tre apo më shumë sëmundje.

Mesazhi është i qartë edhe për Shqipërinë. Përpjekjet parandaluese duhen orientuar veçanërisht drejt mbrojtjes së personave të sëmurë dhe atyre të moshuar. Përveç masave për të cilat është folur shumë tashmë, duhen marrë disa masa shtesë të kujdesit social për këto kategori.

– Të rinjtë që banojnë me të moshuar apo të sëmurë në një banesë, duhet të bëjnë kujdes të shtuar për të mos u ekspozuar vetë ndaj virusit duke respektuar 100% kufizimet e lëvizjeve.

– Të moshuarit që banojnë të vetmuar mund të ndihmohen për të bërë blerjet e ndryshme që u nevojiten duke minimizuar kështu daljen dhe ekspozimin.

– Kush sheh grupe të moshuarish që kalojnë shumë kohë në mjedise ku mund të ekspozohen, duhet t’i këshillojë dhe t’u shpjegojë sa më sipër.

– Gjithkush duhet të përpiqet t’u sigurojë të moshuarve dhe të sëmurëve mjete mbrojtëse si maska, doreza, etj.

– Të moshuarve që kanë vështirësi në kuptim, duhet t’u shpjegohen masat mbrojtëse dhe ato të higjienës që parandalojnë virusin.

Duke ditur se jemi një vend me moshë shumë më të re se Italia (në Itali 30% e popullsisë është mbi 60 vjeç, ndërsa në Shqipëri vetëm 21%) të shpresojmë se personat e moshuar dhe të sëmurë në Shqipëri do të preken më pak dhe do ta kalojnë më lehtë epideminë.

Le të marrim masa së bashku për të mbrojtur prindërit dhe të afërmit tanë! /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE

Loading...