Propozimet e PD për koronavirusin/ Jul Deda: Njishi i Surrelit i merr dhe i shet si të vetat
Transmetuar më 19-03-2020, 18:22

Aktori i humorit Julian Deda është përfshirë në debatin mes maxhorancës dhe opozitës për çështjen e propozimeve dhe masave për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një postim në “Facebook”, Deda thotë se të gjithë e thonë se Lulzim Basha nuk po e shfrytëzon politikisht situatën dhe madje po sugjeron masa që janë të domosdoshme në këtë situatë duke iu përgjigjur dëshirës së publikut dhe thirrjes së kryeministrit. Por sipas tij, as kjo nuk i pëlqen Ramës për të cilin thotë se po i merr gjithë propozimet dhe i shet si të vetat.

“Duket qartë, madje e thonë të gjitha mediat, edhe ato të majta, që Luli nuk po e shfrytëzon politikisht këtë situatë. Përkundrazi në vend të “Rama ik”, të cilës duhet t’i kthehet sapo të mbarojë kjo situatë, ai po përdor fuqinë e sugjerimeve për të marrë ato masa që ai mendon se janë të domosdoshme në këtë situatë pandemie.

Pra po respekton dëshirën e publikut, pse jo edhe thirrjen e Edit, për t’u bashkuar të gjithë kundër armikut të padukshëm. Por as kjo nuk i pëlqen njishit të Surrelit. Edi përsëri gjen kohën dhe hapësirën për ta shpotitur, për ta ironizuar edhe këtë qasje të Bashës.

Pra kur opozita denoncon apo proteston, për Edin është opozitë pa ide, ndërsa kur opozita propozon, prapë për Edin është pa ide, edhe pse të gjitha idetë e opozitës i merr, i ndërron titullin dhe i shet si të vetat. Edhe këtë e thonë të gjitha mediat, edhe ato të majta. 😉”, shkruan Deda./b.l/noa.al/

Loading...