
Përhapja e koronavirusit në vend ka rritur shqetësimin edhe për mbajtjen e burgjeve larg këtij virusi.
Me një udhëzim të ri Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela urdhëron prokuroritë e vendit që të vlerësojnë me rigorozitet rastet që kanë nën hetim dhe për masat e sigurisë aty ku është e mundur të kërkohet caktimi i dënimeve alternative të dënimit me burg apo edhe shtyrjen e vendimit për caktimin e masës me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Në këtë udhëzim përcaktohen masat procedurale që duhet të ndjekin prokuroritë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për sigurinë e personave të arrestuar apo dënimet alternative nga ato me burg.
Masat procedurale sipas fazave të procedimit penal
Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, vlerësojnë gjendjen, problematikën dhe nevojat e marrjes së masave procedurale në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale në njësitë administrative që mbulon prokuroria që ai/ajo drejton, si dhe në zbatim të kompetencave të parashikuara në ligj vendosin marrjen e masave procedurale për bërjen kujdes sipas fazave të procedimit penal, siç mund të jenë:
1.Në fazën e hetimeve paraprake, vlerësimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, në zbatim të kushteve dhe kritereve ligjore që garantojnë sigurinë e nevojshme personale të personit të arrestuar në flagrancë apo ndaluar ose të personit nën hetim, dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
2.Në fazën e diskutimeve përfundimtare në gjykimet e themelit vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për të kërkuar caktimin e dënimeve alternative të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
3.Në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale të formës së prerë, vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjor për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri;
nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Në zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e Prokurorive./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





