Transmetuar më 19-03-2020, 14:07

Në të gjithë botën po punohet për të sjellë një trajtim specifik apo vaksinë ndaj koronavirusit, por autoritetet mjekësore në Kinë thonë se një ilaç i përdorur në Japoni ka rezultuar efektiv për pacientët e prekur.

Bëhet fjalë për ilaçin ‘favipiravir’, të zhvilluar nga Fujifilm që ka sjellë rezultate pozitive në provat klinike në Wuhan dhe Shenzhen që përfshin 340 pacientë.

“Ka një numër të lartë sigurie dhe është efektiv në trajtim”, i tha Zhang Xinmin, një zyrtar në ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë, gazetarëve të martën.

Pacientët të cilëve u është dhënë ilaçi në Shenzhen, bënë sërish teste dhe rezultuan negativë, njoftoi transmetuesi publik NHK.

Për më tepër, rrezet X konfirmuan përmirësime në gjendjen e mushkërive në rreth 91% të pacientëve që ishin trajtuar me favipiravir, krahasuar me 62% ose ata pa ilaç.

Kompania Fujifilm Toyama Chemical, e cila zhvilloi ilaçin, i njohur gjithashtu si Avigan që në vitin 2014, nuk ka pranuar të komentojë mbi pretendimet.

Por një burim japonez i ministrisë së shëndetësisë sugjeroi se ilaçi nuk ishte aq efektiv tek njerëzit me simptoma më të rënda. "Ne i kemi dhënë Avigan 70 deri në 80 njerëzve, por duket se nuk funksionon aq mirë kur virusi është shumuar," tha burimi për Mainichi Shimbun.

Ndërkohë, ilaçi mund të aprovohet në muajin maj.

Favipiravir ka nevojë për miratimin e qeverisë për përdorim në shkallë të plotë te pacientët Covid-19, pasi fillimisht ishte menduar për trajtimin e gripit./a.m/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd