
Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka reaguar pas masave të reja, të shpallura nga kryeministri Rama, ku nga nesër qytetarët duhet të ecin të pashoqëruar dhe në oraret e përcaktuara, pasi në të kundërt rrezikojnë gjobë. Vokshi shprehet se kjo situatë nuk zgjidhet me gjoba, por duhen marrë masa për të mbrojtur qytetarët dhe mjekët.
“Me gjoba nuk zgjidhet asgjë. Duhen masa mbrojtëse për stafin mjekësor, duhen tamponë dhe kite për testimin e popullatës, duhen pajisjet e nevojshme mjekësore për përballimin e fluksit. Asgjë prej këtyre në kohë, megjithëse kryetari i PD Lulzim Basha, prej ditësh, i ka bërë thirrje qeverisë të marrë masa për pajisjen e spitaleve me mjetet e nevojshme, përfshirë, aparatët respiratorë. Vazhdimisht, kryeministri e ka hedhur poshtë duke theksuar se spitalet kanë pajisje të nevojshme”, shorehet ajo.
Sipas Vokshit, situata nuk menaxhohet as me shpalljet e gjobave në ERTV, as me daljet e Ramës nga vila 2 milionë euro në Surrel, aq më pak, me sulme ndaj çdo propozimi të opozitës. “Për shëndetin e mjekëve dhe të shqiptarëve duhen veprime të shpejta, që i paraprijnë përkeqësimit të situatës.
Qytetarët kanë nevojë për dikë që qeveris dhe merr vendime në kohën e duhur për interesin e tyre. Qytetarët duan zgjidhje, jo të shtyjnë kohën duke parë Edi Ramën në televizor në mëngjes, në drekë dhe në darkë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





