
Kryeministri Edi Rama flet për situatën e koronavirusit në vend dhe thotë se vendi ndodhet në sitat lufte.
Ai përsërit apelin për të kufizuar në maksimum lëvizjet dhe kujton se virusi nuk përhapet nga ajri në kuptimin e mungesës së kontakteve, por përhapet nga kontaktet.
“Dhe për këtë arsye edhe ekspertët iu këshillojnë qeverive që të bëjnë sa më shumë për t’iu shpjeguar njerëzve që nëse dalim më këmbë nuk jemi domosdoshmërisht më këmbë po qe se nuk ruajmë distancat dhe nuk jemi të vëmendshëm gjatë gjithë kohës që të mos prekim fytyrën me duar. Sigurisht që do të ishte ideale të pengohej dalja e këmbësorëve deri në fund të ditës por njerëzit duhet të dalin për të bërë pazaret dhe këtu askush, askund, as në Kinë ku faktikisht është vendosur regjimi më rigoroz pak a shumë është i njëjti regjim që kemi sot në Shqipëri me ndonjë përjashtim. Nuk është ndaluar lëvizja e këmbësorëve për të bërë ato gjëra të domosdoshme që janë jetike, si blerja e ushqimeve, ilaçeve apo ndonjë veprim tjetër i domosdoshëm”, tha ai.
Ndër të tjera shtoi se është fare e thjeshtë për t’u kuptuar se nuk është qeveria që mund të ndalojë tërësisht lëvizjen e këmbësorëve në 24 orë, duhet ta kufizojë, por se çdokush duhet të bëjë të veten.
Sipas tij, është një luftë në çdo front dhe çdo individ ka një segment dhe se në atë segment duhet të jetë policia e vetvetes.
“Prandaj iu them të gjithëve që të shmangin çdo dalje që nuk është e domosdoshme. Nuk është koha për të dalë xhiro, për të bërë shëtitje, për të marrë diell duke lëvizur në rrugë, por koha për të kufizuar lëvizjen”, deklaroi kreu i qeverisë.
Po ashtu deklaroi se e nesërmja do të ishte e dhimbshme nëse do të ndërpriteshin të gjitha hallkat e zinxhirit ekonomik, njerëzit “do të hanin njeri-tjetrin”.
Në këtë linjë, duke folur për ‘News 24’, shtoi se asnjë vend dhe as Kina, nuk këput të gjithë zinxhirin ekonomi të vendit, por ato hallka, që sapo të rëndësishme, dhe sado e dhimbshme të jetë, nuk vënë në pikëpyetje ditën e nesërme.
“Nëse do të këpusnim zinxhirin e vendit totalisht, vërtete do ishim më të izoluar, por do ishim duke hapur atë gropë që thashë dhe duke i bluar të gjithë së bashku kockat Shqipërisë, ku ka jetë pas luftës. E cila duhet të rifillojë me sa më pak plagë dhe jetë të humbura. Pa u gjendur në një shteg qorr, ku do të detyrohemi të hamë njeri tjetrin”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ai tha se 80% e atyre që do preken nga ky virus nuk do të ndjejnë asgjë dhe nuk do ta kuptojnë kurrë që u prekën. “Nëse bëhen testime për ata që kanë shenja të lehta mjafton marrja e masave, se në fund të ditës ju thuhet rrini në shtëpi, pra edhe kur testi del pozitiv iu thuhet rrini në shtëpi, s’të merr njeri në spital për shenja të lehta, thuhet: rri në shtëpi. Shqipëria do ndjekë shembullin e Zvicrës që teston ata mbi 65 vjeç dhe të sëmurët kronikë, kurse për të tjerët do rekomandohet qëndrimi në shtëpi. Kjo historia e testeve ka hapur debat por në të gjithë rajonin fokusi është tek më të rrezikuarit”, u shpreh Kryeministri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





