
Mes 55 personave të cilët rezultojnë të prekur me koronavirus, tetë prej tyre janë mjekë dhe infermierë.
Kjo deklaratë u bë nga drejtoresha e Insitutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, në raportimin ditor lidhur me të prekurit nga koronavirusi, ku u konfirmuan katër raste të reja.
Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe dy raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi) dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë.
Sipas Binos, që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.
Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infektiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
“Në lidhje me testimet, dua të them që të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente”, deklaroi Bino.
Ndërkohë 25 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv, të cilët janë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.
Prej tyre tre janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





