
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin Adnand Kosova, duke rrëzuar vendimin e KPK, që e konfirmoi në detyrë rreth një vit e gjysmë më parë.
Ankimi për prokurorin Kosova u bë nga Komisioneri Publik. Sipas komisionerit, prokurori Kosova nuk justifikon një apartament dhe nuk ka paguar tatimet për dy pasuri, ndërsa ka denoncime ndaj tij për lidhje familjare me persona të dënuar.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relator, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 13/2019, datë 27.02.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Adnand Kosova.
Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 90 datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Adnand Kosova. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.03.2020. Vendimi me arsyetim të përmbledhur nr. 5/2020 (JR), datë 13.03.2020”, thuhet në njoftimin e KPA./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





