
Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje që të gjithë personat që duhet të shkojnë në punë, të regjistrohen në faqen zyrtare dhe të kenë dokumentin përkatës kur të ndalen në postblloqet e ngritura nga policia.
‘Çdo person duhet të dërgojë të gjithë listën e personelit të nevojshëm dhe numrin e telefonit të personit përkatës dhe të lërë hapësirën për targën. Nuk është e nevojshme që në këtë kohë të shkurtër ti kërkohet kompanive, por në këtë kohë, ta bëjë personi në faqen ku figuron si person për të lëvizur lirisht. Nëse ndalohet nga postblloku, e ka të thjeshtë të kalojë. Është e thjeshtë për këtë shpejtësi në këtë moment. Do e shohim nesër funksionimin por nuk ka dyshime se është e mundur për t’ia bërë më të lehtë kompanive dhe njerëzve.
Po kështu, është e rëndësishme të theksoj se do të kryhet e njëjta gjë për shërbimet e medias. Duhet ti drejtojnë në adresën [email protected] kërkesën për të gjithë punonjësit’, u shpreh Rama.
E njëjta gjë do të jetë edhe për të sëmurët, ashtu siç u deklarua më parë edhe nga Ministria e Shëndetësisë se njerëzit do vazhdojnë të kryejnë shërbimet e tyre. Ndërsa thekson se është e ndaluar që personat që lëvizin me automjetet e punës, të marrin persona të familjes apo të tjerë. Nëse nuk e zbatojnë, do të sanksionohen.
‘Nga ana tjetër, edhe qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuar terapi mjekimi, do të jetë i hapur, ashtu si për kujdesin social për të moshuar. Është e rëndësishme të kenë vërtetim të thjeshtë nga mjeku.
Më tej, sa i përket vajtje-ardhjeve në aeroportin e Rinasit, duhet të kenë fotokopje në letër ose në telefon të atyre që presin apo të atyre që largohen. Marrja në automjetin e punës nga këta persona që kanë liri në lëvizje të personave të tjerë të familje apo e të tjerëve që nuk kanë detyrë shtetërore, është rreptësisht e ndaluar dhe do të sanksionohet.
I lutem drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve apo administratorëve të kompanive që ta përcjellin këtë mesazh. Është e rëndësishme që nuk është fjala për të penguar për qejf njerëzit dhe për të mbrojtur me të gjitha forcat. Shmangia e marrjes së njerëzve të tjerë është pjesë. Sado qesharake mund të duket në një ditë normale, aq serioz është’, tha kryeministri në komunikimin live.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





