Transmetuar më 12-03-2020, 10:05

Kryeministri Edi Rama vijon të komunikojë masa të shtuara për përballimin e situatës së krijuar prej koronavirusit në vend, ku është konfirmuar viktima e parë, teksa numri i të prekurve ka arritur në 15.

Ai bën me dije se nga sot në mesditë nuk ka transport urban në Tiranë dhe Durrës.

“Po bëjmë gati transportin e dedikuar për mjekët dhe infermierët”, shkruan Kryeministri.

Ndërkohë ditën e djeshme kreu i qeverisë komunikoi mbylljen e bareve, restoranteve, palestrave dhe ambienteve të tjera ku grumbullohen njerëz për të parandaluar përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Në total deri në këto momente, janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 15 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifikuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje, ndërsa një e moshuar 73- vjeçare ndërroi jetë mesditën e djeshme në spitalin e Durrësit.

Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim. /a.y/noa.al

VIDEO/ Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

PËRDITËSIM LIVE

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd