Apeli i Mirela Kumbaros: Mos shko të blesh ushqime që do të të skadojnë, blej libra
Transmetuar më 11-03-2020, 18:50

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i ka bërë thirrje të gjithë njerëzve që këtë periudhë koronavirusi ta shfrytëzojnë për të lexuar libra.

Me anë të një shkrimi në rrjetin social, Kumbaro thotë se lekët e kursyera nga kafet apo birrat, mund ti blini libra, jo ushqime që do skadojnë sepse nuk do keni kohë për ti konsumuar.

"Koha që të flasim për një zakon të ri që mund ta përfitojmë bashkë me larjen e duarve në këto kohë kur duhet të rrimë në shtëpi. Fillo sot se s’ke për të gjetur kohë më të mirë se kjo për të lexuar libra! E di që po buzëqesh ndërkohë…por duke qëndruar në shtëpi, pasi të kesh pirë kafen, të kesh sosur thashethemet pa bereqet në rrjet, (se do të të dhembin sytë nga ekrani i celularit…) kape atë libër, provo të lexosh se do të shikosh që do të zbulosh një kënaqësi të harruar…ose të panjohur! Mos më thuaj që s’ke libra në shtëpi…Aha…i ke lexuar të gjitha librat që ke në shtëpi… Mirë pra, lekët që do të kursesh nga birrat, kafet, që nuk do t’i pish më jashtë, mos shko t’i blesh më kot ushqime që do të të skadojnë se s’do të kesh kohë për t’i konsumuar… BLEJI LIBRA! Fundja provoje njëherë….", shkroi Kumbaro.

Ndër të tjera, bëri disa sugjerime librash.

"Ja për të hapur orkesin “Erotika” e Jani Ricos, poezi shumë të bukura për dashurinë që në mëngjes, në një përkthim të shkëlqyer të Eleana Ziakou. Pastaj, për të mos u zhytur direkt në një roman dramatik ju këshilloj fort tregimet “Barërat e së keqes” nga Shkëlqim Cela, superlibër me proza të shkurtra ku do të gjeni vetveten në gjestet e përditshme dhe në grimcat e kohës. Pasditja e do një roman, me kafe turke, them unë… zgjidh e merr: – tri librat e Tom Kukës (Enkel Demi) “Hide në kalldrëm”, “Gurët e vetmisë”, “Ora e ligë” (Botime Pegi) – “Shakaja”e Milan Kunderës – “Shtëpia e Shpirtrave” e Isabelle Allendes – « Bijat e Gjeneralit » e Mimoza Hysa – ExtraTime nga Durim Taci – « Danub » nga Claudio Magris POR, edhe klasikët që kujtojmë se i dimë, por për të cilët ia fusim shpeshherë kot, janë shumë të lezetshëm për këtë orë… – « Tre musketierët » e Alexandre Dumas, – « Plaku dhe Deti » i Hemingëay-t, – apo “Tregime” te Stefan Zëeig-ut. Dhe për të mbyllur mbrëmjen nëse nuk do të shikosh ndonjë film, – se medemek të ka shijuar shumë leximi, – të sugjeroj një libër me kujtime të Dhimitër Anagnostit « Ulliri, pema e dhimbjes », një gotë raki nuk të bën keq…", përfundoi Kumbaro.

Loading...