Transmetuar më 10-03-2020, 22:02

Përfaqësuesi i OBSH në Shqipëri Raul Gonzales Montero, i ftuar në emisionin “Real Story”, i pyetur se çfarë duhet të bëjnë njerëzit që të ndalojnë përhapjen e koronavirusit, deklaroi se qytetarët duhet t’ju përmbahen rregullave të qeverisë.

“Gjërat duhet të analizohen pas disa kohësh, pasi gjërat të kenë evoluar edhe pak. Ndodh transmetimi, për shkak se njerëzit ndërveprojnë. Duhet që të presim edhe njëfarë kohe që të shohim si ecin gjërat. OBSH ka kapacitetet për të ndërhyrë në këtë fazë të sëmundjes.

Qeveria dhe OBSH janë këtu për të ndërprerë përhapjen e virusit. Ka shumë rëndësi edhe sesi njerëzit të veprojnë, njerëzit duhet të bëjnë siç iu këshillohet nga qeveria. Njerëzit duhet të mos takohen me dorë, as përqafohen, të mos rrinë shumë veta në një ambient të mbyllur”, tha Gonzales.

Ndërsa në lidhje me masat e marra nga shteti shqiptar ai tha se ato janë marrë në kohën e duhur dhe në përputhje me rekomandimet e dhëna. Gonzales u shpreh instruksionet e dhëna që në fillim janë për kufizimin e burimit të kontaktit, larja e duarve dhe shmangia e grumbullimeve.

“Masat që ka marrë qeveria janë në përputhje me rekomandimet e OBSH. Masat janë marrë në kohën e duhur. Ne rekomandojmë gjëra shumë të qarta. Theksojmë se duhet të kufizohet burimi i kontaktit, duhet të lajmë duart, të shmangim grumbullimet masive të njerëzve. Këto instruksione janë dhënë që në fillim.

A mund të ishin marrë më para këto masa, a duheshin bërë më herët? Ne nuk mund të hedhim hapa në mënyrë të verbër. Tani ishte momenti për këto masa por nuk mund ta bllokojmë një vend. Nevoja e masave duhet të ekuilibrohet me kapacitetet e vendit dhe ecjen para të ekonomisë. Në qoftë se njerëzit mbeten pa punë nuk kanë para për ushqimet e për të paguar faturat”, deklaroi Gonzales.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd